Viti 2019 shënoi një përvjetor të rëndësishëm dhe një ngjarje të shënuar për historinë e gjuhës dhe letërsisë shqipe, 200 vjetorin e lindjes së Franqisk Anton Santorit (Picili, 16 shtator 1819 – Shën Japk, 7 shtator 1894). Santori është cilësuar nga studiuesit si më prodhimtari ndër shkrimtarët arbëreshë të shek. XIX, autor themelues i disa gjinive letrare në trashëgiminë e shqiptarëve. Ka lëvruar në arbërisht poezi, sonete, poema, novela në vargje, dramë, melodramë, tragjedi, komedi, satirë, fabula, roman. Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, në kuadër të ditëve të albanologjisë të organizuara nga Akademia e Studimeve Albanologjike, do të organizojë konferencën shkencore me temë “A. Santori dhe trashëgimia gjuhësore e letrare shqipe”. Objektivi i kësaj konference është të paraqitet kontributi i Santorit si dokumentues dhe pasurues i shkrimit shqip në shekullin XIX; të paraqitet dhe studiohet kontributi i tij si inaugurues i disa gjinive letrare në letërsinë shqipe; të rivlerësohet krijimtaria e tij letrare në dritën e zbulimeve dhe botimeve kritike të veprave letrare apo varianteve të tyre. Në këtë konferencë është angazhuar thuajse e gjithë trupa e kërkuesve shkencorë të IGJL-së, si edhe kërkues të ardhur nga universitete të ndryshme brenda e jashtë Shqipërisë. Konferenca do të mbahet në Tiranë, më 20 dhjetor 2019. Franqisk Anton Santori, që i ri shfaqi një dashuri për studimin dhe kulturën shqiptare. Mblodhi këngë popullore arbëreshe dhe pati mundësinë të lexojë veprën e Pjetër Bogdanit dhe autorëve të tjerë nga Shqipëria. Më 1842 hyri në manastirin françeskan të Urdhrit të Reformuar në San Marko Arxhentano. Atje jetoi tetëmbëdhjetë vjet deri më 1860. Edhe gjatë jetës si prift vazhdoi të studiojë dhe të krijojë vepra letrare, që kontribuan për ta ngritur gjuhën shqipe në nivelin letrar. Nuk mundi të themelojë një manastir në Latariko (Lattarico) dhe braktisi jetën e murgut. I kthyer prapë në Picili, ai nisi t’i shtyjë ditët me një jetë modeste. Më 1885 u caktua prift në famullinë e Shën Japkut (San Giacomo di Cerzeto.) Jetoi gjithë kohën në Kalabri ku edhe vdiq në 7 shtator 1894. Punoi si famullitar dhe si letrar, duke i lënë letërsisë shqipe një krijim letrar të gjerë.