Izet Haxhia pritet të kërkojë statusin e dëshmitarit të mbrojtur nga drejtësia me qëllim zbardhjen e krimeve të ish-kryeministrit Sali Berisha. Haxhia ka qenë truprojë i Berishës në vitet më të errëta të Shqipërisë, si gjatë viteve ‘97-të ashtu edhe tek vrasja e Azem Hajdarit dhe te zhdukja e Remzi Hoxhës. Haxhia ka bërë një padi ndaj Berishës për përfshirje në 23 ngjarje të bujshme. Por pas aksidentit të pretenduar pak ditë më parë, Haxhia ka vendosur të kërkojë mbrojtje nga shteti, në mënyrë që të tregojë të gjitha “krimet” e Berishës, pasi ai di çdo lëvizje të tij, duke qenë se e ka ndjekur pas si truprojë. Madje ka qenë i implikuar dhe në disa ngjarje, si për shembull ajo e grushtit të shtetit 1998. Ka qenë avokati Idajet Beqiri, i cili në një deklaratë për mediat ka dhënë detaje mbi lëvizjet e klientit të tij. Në fjalën e tij ai ka rrëfyer se klienti i tij do të zbardhë krimet ku është i përfshirë Berisha. “Unë, si përfaqësues dhe mbrojtës ligjor i Izet Haxhisë, si dhe vet Izet Haxhiaj, i kemi kërkuar prokurorit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda që, për vet natyrën e deponimeve të Izet Haxhisë, për krimet e rënda që janë kryer dhe që po zbardhen prej tij, për subjektin kryesor, autorin e kryerjes së këtyre veprave me rrezikshmëri të lartë dhe pasoja të rënda për Shqipërinë, siç është ish-Presidenti i Republikës Sali Berisha, për rrezikshmërinë potenciale që paraqet ai edhe aktualisht në zhdukjen e provave dhe të dëshmitarëve okularë, t’i jepet Izet Haxhisë statusi i të mbrojturit të drejtësisë”, ka deklaruar avokati i Izet Haxhisë.Në deklaratën e tij, Beqiri ka thënë se janë marrë masa të posaçme sigurie në Burgun 302 ndaj Izet Haxhisë. Ai tha se janë angazhuar disa institucione. “Izet Haxhiaj pritet të fitojëstatusin e të mbrojturit të drejtësisë, ndërkohë që sot rifillojnë deponimet e tij si dëshmitar okular kundër krimeve të kryera nën nxitjen, frymëzimin dhe organizimin e Sali Berishës. Pas incidentit të rënd të datës 9 tetor 2019 kundër Izet Haxhisë dhe fillimit të procedimit penal nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë për këtë ngjarje, si dhe pas ndërprerjes për një javë të deklarimeve të këtij dëshmitari okular kundër Sali Berishës për krimet e kryera gjatë viteve 1991-1999, institucionet përkatëse, duke filluar nga Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së shtetit dhe deri te Ministria e Drejtësisë, kanë marr një sërë masash në mbrojtjen dhe sigurinë e jetës së Izet Haxhisë dhe të fejuarës së tij Eriona Parruca”, ka deklaruar Beqiri.
Ndryshon regjimi i ruajtjes
Avokati i Haxhisë ka shpjeguar se ka ndryshuar plotësisht i gjithë regjimi i ruajtjes së Haxhisë, i kontrollit të ushqimit, i shoqërimit të tij në takimet me avokatin, me të fejuarën e tij, gjatë komunikimeve telefonike etj. Avokati ka deklaruar se janë eliminuar të gjitha sulmet që i janë bërë më parë të fejuarës së Izet Haxhisë. “Në kushtet kur veç avokatit të tij, i vetmi person që po i qëndron pranë, që plotëson nevojat e tij dhe që ndihmon Izet Haxhinë është e fejuara e tij, Eriona Paruca, janë eliminuar plotësisht incidentet e qëllimshme kundër saj në raport me takimet dhe kontaktet me Izet Haxhinë si dhe janë marrëme seriozitetin e duhur dhe po trajtohen ligjërisht të gjitha kërcënimet e rënda, fyerjet, poshtërimet dhe kanosjet për vrasje që i janë bërë asaj prej disa individëve konkretëdhe anonim në faqet e Facebook, në telefon etj”, ka shpjeguar ai. Së fundmi Beqiri ka bërë me dije se Haxhia do të vijojëdeponimet e tij pranë ambienteve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Sipas tij, Haxhia duhet të merret sa më shpejt si dëshmitar i mbrojtur. “Të përgjegjshëm se një vendimmarrje e tillë për t’i dhënë Izet Haxhisë statusin e të mbrojturit nga drejtësia do kohën dhe procedurat e veta, ditën e premte që kaloi, pas takimit me oficerin e Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda në ambientet e Burgut 302 në Tiranë, i deklaruam atij se Izet Haxhiaj do të vazhdojërregullisht deponimet e tij, si më parë, pranë ambienteve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, duke filluar nga dita e sotme dhe ditët në vijim”, tha ai.
Arbjona ÇIBUKU