Kreu demokrat, Lulzim Basha, ka dhënë dje sinjale të qarta, se protestat nuk janë më prioritet i tij. Ish-kryedemokrati Berisha, ish- deputetëpranë tij dhe presidenti Ilir Meta, përmes medieve pranë tij, kanë shtuar presionet për të shkuar tek revolta. Por dje, Basha tregoi dhe një herë se po mban krahun e ndërkombëtarëve dhe jo të aleatëve të tij. Basha dje doli në një konferencë për mediat, ku edhe pse u paralajmërua se do të ishte e jashtëzakonshme dhe do kishte një deklaratë me rëndësi, nuk u fol në asnjë moment për protesta e revolta. Më pas Basha mblodhi në një takim aleatët, ku sërish pritej që të vendosej për protesta, por nuk pati asnjë konkluzion. Në takim u diskutua për reformën zgjedhore dhe negociatat. Ishte kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, e cila pas takimit e tha qartë se nuk do ketë protesta, ndërsa i dha një goditje të fortë Bashës, duke ironizuar protestat para 30 qershorit, të cilat u shndërruan si shëtitje. Sipas saj, nuk arrihet gjë me xhiro në bulevard. “Protesta vjen te domatja e fermerit që hidhet në kanal, te institucionet që ndërtohen me paratë e shqiptarëve për të larguar prodhimet vendase dhe shitur prodhimet e importit, sepse ju bëjnë fresk oligarkëve për të sjellë qepën dhe karotën nga jashtë. Mënyrat dhe hapat për ta arritur janë shumë të qarta. Protestat janë një nga ato mënyra, por mos u çudisni. Protestat nuk janë me axhendë, por janë me organizim. Ne kemi axhendë integrimin në BE. E dyta rregullimi i xhepit të shqiptarëve. Nëse një familje i vjen fatura e ujit të pijshëm 20 mijë lekë kjo është shqetësim i vërtetë i shqiptarëve sesa për të pasur një protestë që i fusim një xhiro në bulevard. Ka protesta çdo ditë është ajo e Unazës së Re”, tha ajo.
Basha në deklaratë
Në një konferencë për mediat, kreu demokrat Lulzim Basha u shpreh se ka ardhur koha për largimin e Ramës, por pa përmendur protestat. Konferenca e Bashës u lajmërua nga PD, si e jashtëzakonshme, ndërsa kreu i opozitës foli për negociatat, integrimin, dhe largimin e Ramës, me zgjedhje të parakohshme. “Të gjithë biem dakord se rruga e vetme përpara, është rruga drejt Europës! Europa ka refuzuar Edi Ramën, jo Shqipërinë. Pa reforma serioze, të cilat ai nuk është në gjendje dhe nuk ka vullnetin t’i bëjë, Europa do të vazhdojë ta refuzojë Edi Ramën, por ne, shqiptarët, do të vazhdojmë të vuajmë pasojat. Një njeri po na mban peng të gjithëve! Ne na duhet një qeveri e re, një qeveri që çon vendin përpara në procesin e integrimit europian, qeveri e dalë nga zgjedhje të lira dhe të ndershme”, deklaroi Basha, në konferencë për shtyp. Kreu i opozitës, vijon të këmbëngulë se mos hapja e negociatave është për faj të Ramës. “Dështimi është i Edi Ramës, jo i Shqipërisë. Ky mesazh ka qenë më i fortë se kurrë nga Gjermania, që i tha Po Shqipërisë dhe JO qeverisë përmes 9 kushteve që duhen përmbushur. Në Europë shkohet duke ndërtuar, fillimisht, standardet europiane në vendin tënd. Por kjo nuk i intereson Edi Ramës. Sepse kjo nënkupton: Zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Basha.
Basha për negociatat
Kryedemokrati Basha, gjatë fjalës së tij dje, tha se në Samitin e BE, me 18 tetor, shumica e vendeve, ishin në një mendje, që Shqipëria, nuk e meritonte hapjen e negociatave. Kushtet e vendosura nga Bundestag sipas Bashës, tregojnë se vendi ynë, nuk po bën përparime, ndërsa thekson se numri i azilkërkuesve, po vjen në rritje dhe kjo për shkak të kushteve ekonomike në Shqipëri. “Shumica e vendeve ishin të një mendje se qeveria e Shqipërisë nuk e meritonte hapjen e negociatave. Për këtë u artikuluan disa kushte që, në thelb, tregojnë se Shqipëria, nën këtë qeveri, ka bërë hapa pas, nga viti në vit. Situata e rëndë ekonomike, mungesa e mundësive, që vjen prej kapjes së institucioneve dhe pabarazisë para ligjit, ka detyruar shqiptarët të largohen në numra rekord si azilkërkues. Krimi dhe korrupsioni janë shqetësim për vendet e BE; Ndëshkimi i blerjes së votës; Funksionimi i gjykatave të larta të vendit; Vënia para drejtësisë e të inkriminuarve dhe korruptuarve në nivele të larta janë kërkesat e panegociueshme për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit”, tha Basha.
Ornela Çelpica








































