Pedagogia Iris Luarasi deklaroi të shtunën në mbrëmje në emisionin “Shiko Kush Luan” se ka ngelur katër gazetarë në klasë kur kanë qenë studentë, por që sot janë të suksesshëm. Kjo deklaratë ka shkaktuar reagime të shumta.
Pedagogu dhe eksperti i ekonomisë, Ilir Ciko, ka reaguar pas deklaratës së saj, duke mos qenë aspak dakord më këtë përmendje të emrave në publik.
Profesor Ciko thekson se me deklaratën e saj pedagogia ka cënuar privatësinë e të tjerëve. Sipas tij duhen vendosur rregulla të reja loje për të mos cënuar pa të drejtë privatësinë e të tjerëve.
Postimi i plotë i Cikos:
Nuk e kam kuptuar asnjëherë se si një person që e quan veten pedagog mund të bëjë publike, madje me krenari dhe në emisione televizive, emra personash që i ka ngelur në lëndën e tij/saj, aq më tepër kur këta janë po aq, a në mos edhe më të njohur për publikun.
Kam 16 vite që kam përcjellë breza studentësh e në ato raste kur kam qenë i shtrënguar për të mos i kaluar, jam i sigurt që askush tjetër veç studentit dhe administratës së universitetit nuk është informuar për vlerësimin përkatës.
Nëse normat e etikës është vështirë të funksionojnë, besoj se duhen vendosur rregulla loje për të mos cënuar pa të drejtë privatësinë e të tjerëve.