Ministria e Financave ka miratuar dje tarifat e reja doganore për bizneset në lidhje me ngarkim-shkarkimin dhe magazinimin e mallrave. Miratimi i tarifave është përcaktuar përmes një udhëzimi që mban datën 1 korrik 2019. Përmbajtja e këtij udhëzimi nis që me parkimin në ambientet që administrohen nga autoritetet doganore, udhëzime për magazinimin, përdorimin e plumbçave, deri te peshimi e kontrolli fizik i mallrave. Në një nga pikat e udhëzim përcaktohet se autoritetet doganore kanë të drejtën të mos lejojnë daljen e mjeteve nga ambientet e tyre deri në shlyerjen e plotë të tarifave. Tarifa e shërbimit për ngarkim-shkarkimin e kamionëve për kontroll të plotë fizik do të jetë 5 mijë lekë, ndërsa ajo e peshimit do jetë 700 lekë për kamionë dhe fugon deri 10 tonë dhe 1 mijë lekë për mjetet mbi këtë tonazh. Tarifa për subjektet që kërkojnë praninë e personelit doganor në ambiente të tjera nga ato doganore ose jashtë orarit zyrtar të punës do të shkojnë deri në 800 lekë ora, në bazë të kategorisë së punonjësve. Të ardhura për mallrat e të tretëve që magazinohen në magazinat që administrohen nga autoritetet doganore deri 24 orë do të jetë 500 lekë për mallrat deri 500 kg, 1,000 lekë për mallrat me peshë deri 1,000 kg, deri 2,500 lekë për mallra me peshë mbi 3 mijë kilogramë. Tarifa e parkimit në ambientet që administrohen nga autoritetet doganore deri 24 orë do të jenë 700 lekë, ndërkohë 60 minutat e para do të jenë pa pagesë. Sipas udhëzimit, përzgjedhja e mjeteve të transportit për kontroll të plotë fizik bëhet në bazë të analizës së riskut të përcaktuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Doganave. E njëjta procedurë ndiqet edhe me procesin e peshimit të mallrave si dhe për ngarkim-shkarkimin e tyre. Për plumbçet e përdorura gjatë procedurave, sipas përcaktimit të shkronjës b të pikës 2, të aksesit 1, pritet mandate arkëtimi, më pas punonjësi doganor përgjegjës për të në fund të ditës dorëzon tek zyra e financës të gjitha shumat e mbledhura dhe dokumentacionet përkatëse. Zyra e financës në degë doganore duhet të bëjë duhet të bëjë kontabilizimin dhe inventarizimin e plumbçeve si një dokument i veçantë. Në rastin e plumbçeve pagesa e tarifimit kërkon praninë e personelit doganor. Operatori ekonomik i interesuar për marrjen e këtij shërbimi duhet t’i dërgojë një kërkesë zyrtare degës së doganës kompetente. Në rast se kjo kërkesë miratohet, dega e doganës lëshon një urdhër ku përcaktohet numri i punonjësve që do të kryejnë shërbimin dhe më pas vazhdon procedura e marrjes së faturës, pagesës dhe më pas dorëzimit të saj në zyrat e financës.
Ja cilat janë mënyrat dhe procedurat e arkëtimit të tarifimit
Në hyrje të udhëzimit së pari shfaqen pikat që duhet të ndjekë marrësi i një shërbimi dhe punonjësi doganor gjatë magazinimit, peshimit apo ngarkim shkarkimin e mallrave. Sipas udhëzimit, pagesa e tarifës bëhet nga vetë marrësi i shërbimit ose përfaqësuesi i tij. Ky marrës tërheq nga zyra e financave faturën për arkëtim, më pas me anën e këtij dokumenti bën pagesën e tarifimit në bankë, nga ku do vuloset ky dokument. Pasi ka bërë pagesën dhe dokumenti është i vulosur i dorëzohet zyrës së degës doganore, zyrat e degës doganore bëjnë derdhjen menjëherë ditën e nesërme në Regjistrat e Magazinimit. “Pagesa e tarifës së shërbimit ndaj të tretëve për përcaktimin e mjeteve apo magazinimin e mallrave sipas përcaktimit të pikës 1 dhe 2 të aneksit 1, kryhet nga marrësi i shërbimit, para daljes së mallrave nga magazina. Zyra e financës me degë doganore i vë në dispozicion “Faturën për Arkëtim”, sipas udhëzimit numër 19 datë 20.05.2010 “Për përdorimin e faturës së arkëtimit” të Ministrisë së Financave. Punonjësit doganorë përgjegjës për parkimin, magazinimin plotësojnë faturën për arkëtim në tre kopje, njërën prej tyre ja jep marrësit të shërbimit. Marrësi i shërbimit me këtë dokument bënë pagesën në bankat e nivelit të dytë. Më pas dokumenti i vulosur nga banka i dorëzohet punonjësit të doganës, i cili këto fatura ja dërgon zyrave të financës që bëjnë kontrollin e tyre”, thuhet në udhëzim.
Esmeralda Hida