Qeveria ka dërguar në Parlament një ligj të ri për Policinë e Burgjeve. Teksa dje u shkarkua pjesa dërrmuese e drejtorëve të burgjeve, plani i qeverisë është për të ndryshuar procedurat e rekrutimit për policët që duhet të ruajnë të burgosurit. Neni 29 i këtij ligji, shtron kriteret për pranimin në Policinë e Burgjeve, ku, përpos aftësisë shëndetësore, arsimit të mesëm dhe moshës nën 35- vjeç, kriter është dhe të mos jetë proceduar penalisht, dhe të ketë figurë të pastër morale. “Ndaj tij nuk është nisur një procedim penal dhe nuk është dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo një kundërvajtjeje penale me dashje; Është person me figurë të pastër morale dhe me integritet shoqëror; Ndaj tij nuk është marrë masa disiplinore e largimit nga puna ose nuk ka masë disiplinore në fuqi; Nuk është larguar nga Policia e Shtetit për shkak të vlerësimeve kalimtare, ose periodike të parashikuara nga legjislacioni në fuqi për punonjësit e Policisë së Shtetit”, shkruhet në ligjin e siguruar nga gazeta.
Benefitet e policëve
Në nenin 17, të ligjit, evidentohen benefitet që polici i burgjeve përfiton nga ligji i ri. “Paga mujore, e cila përbëhet nga paga për gradë, shtesa për çdo vit vjetërsie shërbimi dhe shtesa për natyrë të veçantë pune; në rast pamundësie të garantimit të transportit në vendin e punës nga vetë institucioni, kompensimi për kostot shtesë për largësi nga vendbanimi, pagesat për transport apo qiranë e banesës”, parashtron neni 17. Një nen të posaçëm për policët e burgjeve, i është dedikuar “Mbrojtjes së veçantë”. “Policia e Shtetit siguron mbrojtje të veçantë fizike për punonjësit e Policisë së Burgjeve dhe drejtuesit e IEVP-ve, të cilëve, për shkak të detyrës që kryejnë ose kanë kryer, u rrezikohet jeta, familja apo prona nga veprime të paligjshme të të tretëve”, thuhet në nenin 19. Po lidhur me mbrojtjen e policëve, apo familjarëve të tyre, në nenin 18, është parashtruar se Policia e Shtetit do jetë në krahë të familjarëve, të një polici që humb jetën në krye të detyrës, apo për shkak të detyrës. “Kur punonjësi i policisë humb jetën në krye apo për shkak të detyrës, pjesëtarët e familjes përfitojnë trajtim ekonomik e financiar, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi për mënyrën e trajtimit ekonomik e financiar”, parashtrohet në nenin 18. Një tjetër benefit që përfitojnë policët e burgjeve, nga ligji i ri, është pushimi javor, vjetor i paguar dhe pushimeve të tjera të paguara të përcaktuara në këtë ligj. “Kohëzgjatja e pushimit vjetor të paguar për punonjësit e rolit madhor dhe të lartë është 45 ditë kalendarike, për rolin të mesëm 40 ditë kalendarike, ndërsa për punonjësit e rolit bazë dhe punonjësit në cilësinë e aspirantit është 30 ditë kalendarike. Kur punonjësi i Policisë së Burgjeve, gjatë kryerjes së lejes së pagueshme vjetore, për arsye shëndetësore bëhet i paaftë për punë dhe këtë e vërteton me raport mjekësor, njofton strukturën përgjegjëse dhe pushimi vjetor i zgjatet për atë periudhë kohe. Punonjësi i Policisë së Burgjeve ka të drejtë që, në raste të veçanta, të kërkojë leje pa të drejtë page, për arsye shëndetësore, personale. Të drejtën e pushimit të paguar”, bëhet e ditur në nenin 21 të këtij ligji. Në nenin 34, për transferimin, policët duhet të japin pëlqimin për këtë proces. Gjithashtu, parashtrohet se transferimi lejohet deri në 45 kilometra larg vendbanimit.
Ornela ÇELPICA