Liderët e BE-së mbërritën dje në Bruksel me mendimin se do ta gdhinin për Brexit, por përfunduan duke diskutuar deri në orët e para të mëngjesit të sotëm për negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.Pas mesnatës, kancelaria gjermane Angela Merkel, presidenti francez, Emmanuel Macron dhe presidenti i Këshilit të BE-së, Donald Tusk raportohet se kanë zhvilluar një takim kokë më kokë, në përpjekje për të arritur një marrëveshje për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Tusk raportohet se është munduar të bindë vendet anëtare të firmosin draftin për negociatat, por Franca, Holanda dhe Danimarka kanë rezistuar. Në këto kushte, kancelaria Merkel ka dalë më një Plan B. Gjermania, thonë burimet, do të propozojë shtyrjen e vendimit për në dhjetor të këtij viti, duke shmangur kështu “Jo-në” e sotme për Shkupin dhe Tiranën. Gjatë kësaj periudhe, Franca pritet të hartojë një dokumentet për reformimin e procesit të anëtarësimit, duke vendosur kushte të reja për integrimin në BE. Sipas planit gjerman, vendimi për negociatat do të merret në dhjetor, kur pritet të gjendet një mënyrë për dhënien e dritës jeshile për Shkupin dhe Tiranën , dhe implementimin e rregullave të reja të Macronin. Pas një nate të gjatë diskutimesh jo-përfshirëse, krerët e shteteve të BE-së do ta hapi sërish sot çështjen e negociatave, dhe nuk mund të themi me siguri nëse plani gjerman do të pranohet, por cilësohet nga mediat në Bruksel si alternativa më e mirë për të mos “vrarë shpresat” e Shkupit dhe Tiranës. Të gjithë sytë e liderëvë të BE-së janë sot nga Franca dhe Holanda, të cilat janë kthyer në pengesën kryesore për hapjen e bisedimeve të pranimit. Kryeministri holandez Mark Rutte tha sot se udhëheqësit e BE do të rishikojnë çështjen e Shqipërisë dhe Maqedonië se Veriut në një samit pasues, por nuk përcaktoi se kur. “Euractiv” shkruan se përveç, Holandës dhe Danimarkës, edhe Spanja ka dalë kundër Shqipërisë, duke thënë se vendi ynë ka probleme me krimin e organizuar dhe se reformat po ecin me ritme të ngadalta.