Gjykata e Tiranës ka vendosur pushimin e çështjes Balla- Basha- Nugu, me datën 18 shtator, me kërkesë të organit të akuzës. Një vit më parë, kryetari i grupit të PS, Taulant Balla, kallëzoi më deklarim të rremë, kreun e PD, Lulzim Basha, oficerit të policisë Emiljano Nuhu dhe gazetarit Basir Çollaku, për çështjen Xhisiela. Kujtojmë se një vit më parë, Emiljano Nuhu, ish-oficeri i Krujës, kërkoi azil në Zvicër, duke pretenduar se në datë 21 korrik të vitit të kaluar, është kërcënuar më armë në kokë, për të mbyllur dosjen e hapur për akuzën e përdhunimit në ngarkim të djalit të deputetit të PS, Rahman Rrahja. Sipas Nuhut, vëllai i deputetit i ka vënë pistoletën në kokë dhe se deputeti Rraja, kryebashkiaku Artur Bushi dhe Taulant Balla, ka deklaruar ai, ishin në mesin e 10 personave që e kërcënuan. Por Nuhu, kur bëri më 30 korrik kallëzimin në Komisariatin 6 të Tiranës, duke denoncuar se ishte kërcënuar pasi po hetonte çështjen e Xhisielës, nuk i referohej aspak episodit të 21 korrikut. Në dëshminë e tij, ai ka deklaruar se pasditen e 30 korrikut, dy kushërinj të Rexhep Rrajës, Redian dhe Ramazan Rrahja, e kishin kontaktuar nëpërmjet WhatsApp-it, duke kërkuar ta takonin në Tiranë. Por, sipas deklaratës së policisë një vit më parë, këto kërcënime me armë në të vërtetë, nuk kanë ekzistuar dhe Emiljano Nuhu ka vendosur t’i shpikë ato vetëm para se të arratisej, në mes të gushtit, për ta bërë më të besueshme dhe solide kërkesën për azil politik. Ndërkohë, pas këtij denoncimi, opozita hodhi sulme të ashpra ndaj kryetarit të PS, Taulant Balla, se mbrojti djalin e deputetit të Krujës. Kjo e çoi Ballën në kallëzimin penal ndaj personave në fjalë, të akuzuar për tre vepra, shpërdorim detyre, shpifje dhe fyerje për rastin e Xhisiela Malokut. Kujtojmë se një vit më parë, Xhisiela Maloku u bë qendra e vëmendjes mediatike, pasi denoncoi djalin e deputetit socialist Rrahman Rrahja, Rexhep Rrahjan, për përdhunim. Ky denoncim, sipas saj, është bërë sepse ndihej e ngarkuar emocionalisht dhe se e kishte zgjidhur mosmarrëveshjen me Rexhep Rrahjan. Por ky justifikim, nuk u besua nga mediat dhe policia, duke arrestuar Rexhep Rrahjan, që u la i lirë në dhjetor të 2018.









































