Deputetja Rudina Hajdari sot në seancën parlamentare ka hedhur akuza në drejtim të qeverisë socialiste dhe kryeministrit Edi Rama lidhur me hapjen e negociatave dhe ecurinë e vendit në rrugën drejt BE.
Hajdari deklaroi se në Tiranë ka një numër të lartë të ndërtimeve të reja, dhe deputetja tha se ky është bumi i pastrimit të parave në vend, që kanë si burim krimin e organizuar.
Pjesë nga fjala e Rudina Hajdarit:
Gjatë vitit 2018 ishte një tjetër vit i rrënimit ekonomik të Shqipërisë. Jemi në prag kolapsi. Raportet për realitetin janë të nxira. Raporti i DASH tregoi shumë qartë se krimi i organizuar ka kapur ekonominë në çdo aspekt. Kjo tregon se s’jemi në një ekonomi që po rritet por në një ekonomi farsë. Tirana po shpërthen me ndërtime të reja nga pastrimi i parave. Paaftësia e Edi Ramës qëndron te paaftësia për të ndëshkuar klientelizmin. Situata i ka dalë jashtë kontrollit. Ai është kampion për të mos pranuar ato që bën. Është kampion në këtë sport. Ai shmang përgjegjësinë që ka në dështim. Të mos harrojmë që viti 2018 u mbyll me një protestë madhore nga studentët. Familja shqiptare s’ka mundësi të rrisë fëmijët në Shqipëri. Kjo është arsyeja pse largohen. Qeveria s’ka bërë asgjë për të rinjtë. Në vitin 2018 kaloi disa ligje preferenciale për oligarkët. Këta njerëz po fitojnë nga buxheti i shtetit. Dua të theksoj se propaganda e radhës tregon se s’jemi në gjendje të mburremi në çdo aspekt. Kemi dështuar të japim shpresë për të rinjtë, se kemi vizion për të hapur dyert e Evropës. Mos t’ju shesim shqiptarëve fabula të dështuara. Në vitin 2019, do të jetë viti testues. Do e shihni sesi në raportet e tjera, realiteti do të jetë edhe më keq. Kemi nevojë t’ju themi realitetin. Të jemi sa më të fortë, të tregojmë çfarë do të ndodhë vërtet me negociatat.