Mazhoranca ka nisur zyrtarisht punë për të hartuar një ligj special, ose për të bërë ndryshime në ligjet aktuale me qëllim hetimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të ngelur në veting. Kryeministri Rama deklaroi në sallën e Parlamentit, të mërkurën e javës së parë, se duhet të ketë hetime për ata që kanë pasur probleme me pasurinë, si dhe për ata gjyqtarë e prokurorë që e dinë se do të ngelin dhe abuzojnë me vendimet. Gazeta ka mësuar se është ngritur një grup me 3 deputete, të cilave u është lënë detyra të bëjnë gati draftin. Mësohet se grupi drejtohet nga Klotilda Bushka, si juriste dhe ish-anëtare e Gjykatës së Lartë, ndërsa pjesë janë Eglantina Gjermeni dhe Ogerta Manastirliu, të cilat do shohin dhe aspektin e ndikimit social nga ky draft. Puna ka nisur dhe plani është që brenda muajit nëntor propozimet të jenë gati. Sipas informacioneve, deputetët janë duke shqyrtuar mundësitë, që nga hartimi i një ligji të ri e deri te ndërhyrja në ligjin e vetingut. E sigurt është se do hartohet një dispozitë, e cila detyron prokurorinë që të nisë menjëherë hetimet për këdo gjyqtar e prokuror që ngel në veting për shkak të shkeljeve. Absurdi deri më tani është se prokuroria ka nisur hetime vetëm për ata gjyqtarë e prokurorë që kanë rezultuar të lidhur me krimin, por për asnjë prej atyre që kanë fshehur pasurinë. Admir Thanza kishte gënjyer në formularin e dekriminalizimit dhe rezultonte i dënuar, por u hetua nga prokuroria dhe përfundoi në gjykatë. Ndërkohë kemi shumë gjyqtarë e prokurorë që kanë kryer shumë shkelje. Që nga fshehja e pasurisë, pastrimi i parave, evazioni fiskal, falsifikimi i formularëve, te falsifikimi i dokumenteve dhe vepra të tjera. Por në asnjë rast nuk ka pasur kallëzim penal qoftë nga komisionet e vetingut, qoftë nga ILDKP. Ndërkohë nuk ka nisur as hetimi kryesisht nga prokuroria. Por duke qenë se Bundestagu gjerman ka kërkuar që të hetohen të ngelurit në veting, PS ka vendosur ta bëjë me detyrim këtë gjë. Në ligj do parashikohet që në momentin që një gjyqtar dhe prokuror shkarkohet dhe rezulton me shkelje, atëherë prokuroria nis menjëherë procedimin penal ndaj tij.
Dilemat
Gazeta ka mësuar se ligji i socialistëve mund të mos pritet mirë nga opozita e re dhe nga shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Sipas tyre, problemi është se nëse ndodh që një person shkarkohet, por prokuroria e nxjerr atë të pafajshëm, atëherë çfarë ndodh? Grupi i deputeteve është duke shqyrtuar të gjitha mundësitë që të mos ketë përplasje mes ligjeve dhe institucioneve. Mazhoranca ky dy synime: Të hetohen emrat e ngelur në veting, si dhe ata gjyqtarë e prokurorë që kanë probleme me pasurinë, por që s’kanë dalë para KPK. Për të ngelurit në veting situata është më e thjeshtë, pasi te dispozitat transitore mund të vendoset përcaktimi që kushdo ka kryer vepër penale ndiqet penalisht, njësoj si me ligjin e dekriminalizimit. Ndërsa sa i takon hetimit të emrave që janë në detyrë, shihet me shqetësim nga deputetët, pasi ka nevojë për shumë ndryshime. Duke qenë se që të gjithë deklarojnë pasuritë çdo vit dhe po ashtu kanë bërë deklarimin në veting, mund të bëhet një “veting paralel”. Mbetet të shihet nëse kjo do bëhet nga prokuroria, nga ndonjë komision tjetër apo organet vetingut. Por e sigurt është se shumë shpejt PS do dalë me një paketë ndryshimesh për të ndëshkuar të ngelurit në veting dhe për të hetuar ata që nuk kanë hyrë në veting, por kanë probleme.
Kliti Topalli