Ditën e djeshme qyteti i Korçës u ngrit në këmbë pas një alarm për bombë në makinë e gjyqtarit Markelian Kuqo. Më pas u zbulua se ky kërcënim kishte ardhur nga i burgosuri në burgun e Drenovës Naim Behari, i cili mëngjesin e sotëm ka telefonuar në Fax News ku ka bërë kërcënime të tjera të rënda.
Behari pranon se ai ka vendosur lëndën plasëse në makinën e gjyqtarit, por që pretendon se ky nuk ishte kërcënim por vetëm paralajmërim.
Ai ka deklaruar se me gjyqtarin Markelian Kuqo ka një çështje të hapur, pasi ky i fundit ka vendosur që ta transferojë të dënuarin në një burg tjetër, që nuk ka qenë në kërkesën e tij.
“Flas nga burgu i Drenovës, pranoj publikisht që ky gjyqtar ka një proces gjyqësor që ka një muaj dhe ka shkelur të drejtat e njeriut. Për shkak se unë kam bindje të djathta ai tallet me mua. Unë kam bërë një kërkesë në gjykatën e Korçës dhe kërkoj që të transferohem nga ky burg, ndërsa Kuqo do të më çojë në një burg që unë nuk e dua.
Ky zotëria më përmend mua se pse kam shtetësinë greke, pse atij do ti jap llogari unë. Unë jam personi i porosita atentatin dje. Nuk ishte kërcënim por paralajmërim. Prej dy muajsh gjyqtari tallet me mua për transferimin. Unë jam urdhërues i atij muhabeti, nëse ai nuk revokon masën ndaj meje, nëse nuk mban përgjegjësi unë do të them që këtij gjyqtari nuk do i gjendet as varri.
Ta dëgjojë edhe Arta Marku këtë. Unë jam ish-ushtarak, ish-Efektiv i CIA-s. Unë jam edhe anëtar i Cosa-Nostra-s italiane. Ardi Veliu e di shumë mirë këtë. Gjyqtari shkeli të drejtat e mia, dhe ky gjyqtari nuk e kalon Vettingun.“, është shprehur Naim Behari nga burgu i Drenovës.
Kujtojmë se ditën e djeshme janë hedhur dyshime që Naim Behari vuan nga probleme të shëndetit mendor.








































