Shqipëria konfirmoi momentin e mirë që po kalon nën drejtimin e trajnerit Edi Reja. Mbrëmë kuqezinjtë bënë një tjetër ndeshje të mirë në grupin H kualifikues për eliminatoret e Euro-2020, në vazhdën e dy dueleve të mëparshme ndaj Islandës dhe Turqisë, teksa mundi mbrëmë në Kishiniev Moldavinë me rezultatin 4-0, duke regjistruar një prej fitoreve më të thella e më dominuese në transfertë. Në kuadër të këtij takimi trajneri Edi Reja kishte bërë ndryshime jo në skemën taktike, por në emra, pasi në mesfushë në krahun e majtë në vend të Lenjanit u aktivizua Lorenc Trashi, kurse në krahun e djathtë u fut titullar Abrashi në vend të Memushajt, madje kosovari mbajti në këtë ndeshje shiritin e kapitenit. Në portë edhe këtë herë Reja i besoi Strakoshës, ndërsa mbrojtja nuk ndryshoi me Gjimshitin, Ismailin e Dermakun, ndërsa disi më i avancuar në të djathtë ishte Veseli, tashmë një gjetje e Rejës në këtë krah. Loja funksionon, rezultati është dëshmi e lojës së mirë dhe qëndrueshmëria e ekipit që i kanë dhënë të drejtë Rejës të rinovojë kontratën me FSHF-në.
Ndeshja
Pjesa e parë ishte perfekte për kuqezinjtë në aspektin e rezultatit, pasi u shënuan tre gola. Përballë një kundërshtari modest, pasi moldavët nuk po kalojnë aspak një moment të mirë dhe vinin nga një humbje shokuese ndaj Andorrës. Edhe pse u bënë disa gabime nga tanët në fillimin e lojës, sidomos në pasime, ishte Sokol Cikalleshi që e futi fitoren në rrugën e duhur, pasi shënoi golin e parë në minutën e 22-të. Ishte një gol që e çliroi psikologjikisht ekipin kuqezi dhe e vuri në pozita dominuese, teksa në shkallët e stadiumit, një grup i konsiderueshëm i tifozëve kuqezi fituan duelet e tyre në Kishiniev. Por tanët nuk u ndalën me kaq. Një gabim i portierit vendas bëri që të përfitojë Keidi Bare, i cili ndjek aksionin dhe realizon golin e dytë në minutën e 34-t, një gol që ishte i pari për të me fanellën e Kombëtares. Por kulmi i pjesës së parë o të vinte në minutën e 40-të, kur Lorenc Trashi, i cili ishte titullar në këtë takim, përfitoi nga një gabim i mbrojtësit të krahut të djathtë të Moldavisë dhe me një të majtë potente shkarkon një “silurë” që ndalet në rrjetë, duke bërë të heshtë stadiumi në kryeqytetin moldav dhe të dëgjoheshin vetëm këngët e tifozëve kuqezi. Në pjesën e dytë kuqezinjtë e ruajnë ritmin dominues, duke krijuar shumë raste shënimi, ndërkohë që Strakosha nuk u vu në provë në asnjë moment. Rasti më i mirë do të vinte në minutën e 55-të, kur Abrashi futet bukur në zonë nga e majta dhe në fund pason për Baren, i cili kthen bukur por topi përplaset në traversë. Më pas është momenti i Cikalleshit të provojë për të gjetur golin e dytë personal në këtë ndeshje, por “bllokohet” në momentin e fundit dhe nuk arrin të konkretizojë. Për moldavët rasti më i mirë u paraqit në minutën e 70-të, kur nga një goditje dënimi, topi në zonë goditet fort nga Prepelita, por përfundon jashtë, ngjitur me shtyllën e majtë pingule të portës së Strakoshës. Moldavët kërkojnë një gol nderi, por gjejnë Strakoshën të pakalueshëm, ndërsa në minutën e 90-të, Odise Roshi që zëvendësoi Cikalleshin, galopoi në të djathtë dhe pasi u shmang bukur në zonë, pason për Manajn dhe ky i fundit me finte e dërgon topin në rrjetë. Një gol me vlera për Manajn, për punën e mirë që ka bërë në tri ndeshjet e fundit. Një shpërblim për punën e tij por edhe shfryrje për rastet e humbura ndaj Turqisë. Roshi tenton golin e pestë një minutë më pas, por portieri këtë herë e stopon. Ndërkohë, ndeshja tjetër e grupit H, Francë-Turqi, përfundoi në barazim 1-1, duke i bërë të dyja skuadrat të jenë një hap larg finaleve të Euro-2020. Kurse Islanda fitoi me Andorrën 2-0, duke mbajtur distancë me kuqezinjtë +3 pikë (15-12). Dy ndeshjet e fundit Shqipëria do t’i luajë përballë Andorrës dhe Francës, që të dyja në shtëpi.
Adriatik BALLA