Google search engine
Home Aktualitet Regjisorët njëzëri: Niveli artistik ka rënë, teatri nuk pranon plagjiatura, do studim...

Regjisorët njëzëri: Niveli artistik ka rënë, teatri nuk pranon plagjiatura, do studim dhe punë

0
352

Niveli artistik për teatrin tonë diskutohet jo pak. Artistë të ndryshëm pranojnë se niveli artistik ka rënie, por sipas tyre duhet një punë më e madhe për teatrin në vend. Sipas artistëve është shqetësuese, që sot nuk ballafaqohemi me teatrin jashtë vendit. Regjisorë që e kanë zhvilluar aktivitetin artistik në skena të ndryshme, pohojnë se teatri sot kërkon studim, punë dhe nuk pranon plagjiatura. Por nëse kjo nuk bëhet, do të vazhdojmë të kemi dhe shfaqje me pak publik. Regjisorja Elma Doresi është një nga emrat e vlerësuar me shfaqjet teatrore në skena të ndryshme jo vetëm në Tiranë, por dhe më gjerë. Sipas saj, ka shumë faktorë që ndikojnë në rënien e nivelit artistik, për të cilin po diskutohet jo pak këto kohë. “Diskutojmë për shembjen e teatrit, ndërkohë jemi duke vrarë teatrin në vetvete. Shumë kritikë apo dhe artistë kanë përreth një vit, që diskutojnë mbi rënien e nivelit artistik. Tashmë edhe publiku është pajtuar me këtë mendim dhe e ka shprehur me mungesën e tij në teatër. Për këtë të fundit, pra publikun, më dhëmb shumë, pasi futem tek grupi që prej vitesh kemi rikthyer në teatër publikun, e nuk ndihem aspak mirë të dëgjoj se x shfaqje nuk pati shikueshmëri, por ka shumë faktorë”, pohon regjisorja Doresi. Duke folur për problemet që has sot zhvillimi i teatrit në vend, regjisorja shton më tej se konkurrimi dhe puna në teatër kanë rëndësinë e tyre, por duket se këto nuk janë sa duhet. “E para, gjë që i kam mëshuar përherë është konkursi. Konkurrimi do të sjellë padiskutim rritje në cilësi artistike. Përzgjedhja e aktorëve, e cila duhet të bëhet në bazë të imazhit regjisorial e jo në bazë përfundimi kontrate të dikujt. Mungojnë shumë figura sot dhe jo për faj të regjisorëve”, pohon regjisorja Doresi. Por sipas saj, kritika dhe festivalet janë pika kyçe për teatrin. “Duhen thënë të vërtetat e duhet vlerësuar pa doreza, sepse pastaj vijmë tek “flluskat e sapunit”, tek “zhgënjimet”, etj. Periudha e punës, si dhe sa punohet në të vërtetë është diçka tjetër që jep frytet në skenë. Koha në skenë është e pakët. E detyrimisht aktori do të dali të bëj tekst dhe krijimtaria shkon në zero”, thekson Doresi.

Regjia në teatër

Sezoni artistik ka nisur dhe vepra të ndryshme po vijnë në teatro. Për regjisoren Elma Doresi regjia nuk vjen kot, por ajo merr bazë nga teksti. “Ka regji për hir të regjisë. Regjia nuk vjen kot. Koncepti regjisorial nuk është qëllim në vetvete. Hajde, fusim rrota, e zinxhira, mikrofona, e më the e të thashë dhe po e quajmë regji. Jo. Regjia e merr bazën nga teksti, në të kundërt janë dy rrugë, që nuk do të lidhen kurrë”, shprehet më tej ajo. Një problem shqetësues në jetën artistike në vendin tonë janë dhe plagjiaturat në teatër. Jo pak herë është folur për këtë problem, por duket se mungon puna e madhe që kërkon një vepër për në skenë. Sipas regjisores Elma Doresi, në raste të tilla këto shfaqje nuk i thonë gjë publikut. “Kam shumë për të thënë, por po e mbyll me plagjiaturat, të cilat ndikojnë. Si? Thjesht fare. Duke qenë se shfaqja nuk është krijim i tyre doemos do të kërcas, sepse ata të parët nuk dinë se çfarë bëjnë, e lëre pastaj të na thonë neve në publik”, pohon Doresi. Regjisor dhe aktor në teatër, Alfred Bualoti gjithashtu ka qenë nga zërat kritik mbi nivelin artistik sot në shfaqje të ndryshme teatrore. Ai shprehet se nëse do të vijojë kjo gjendje, nuk do të arrijmë dot as të përballemi me teatrin jashtë. “Ne flasim për teatrin, por thuaj çfarë të duash, shqetësohesh sa të duash dhe nuk do t’ia dijë njeri. Tek ne është e kotë të flasësh për problemet e teatrit, sepse nuk dëgjon njeri. Nëse ne do të vazhdojmë me këtë rrugë, me shfaqjet në teatër ne nuk do të përballemi dot as në Europë”, pohon Bualoti. Teatri në vendin tonë përballet edhe me buxhetet e pakta, probleme me infrastrukturë, mungesë sallash etj, por sipas regjisorit Alfred Bualoti edhe artistët duhet të punojë shumë më tepër për shfaqjet. “Teatri sot kërkon shumë punë, studim dhe ballafaqim. Kjo është motoja e teatrit. Nëse nuk ballafaqohesh e ke kot punën. Po nuk studiove e ke kot. Sot as nuk studiohet, as nuk punohet, as nuk ballafaqohet teatri. Janë bërë të gjithë artistë të pakapshëm, galaktikë”, pohon Bualoti. Herë pas here artistë të ndryshëm flasin për jetën artistike në vend, por për teatrin ata janë shprehur se janë dhe problemet ligjore, që ndikojnë jo pak në aktivitetin artistik.

Nga Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here