Google search engine
Home Aktualitet “Nëntor i ftohtë”, filmi më i mirë në “Ballkan Film Food Festival”

“Nëntor i ftohtë”, filmi më i mirë në “Ballkan Film Food Festival”

0
392

“Nëntor i ftohtë” u shpall filmi më i mirë në edicionin e nëntë të festivalit “Ballkan Film Food Festival”, që u zhvillua në qytetin e Pogradecit. Festivali edhe këtë vit solli filma shqiptarë të dhe të huaj, që konkurruan për çmime të ndryshme. Në këtë festival ishin të ftuar edhe emra të njohur të kinematografisë shqiptare. “Nëntor i ftohtë” me regji nga Ismet Sijarina sjell në role aktorët Kushtrim Hoxha, Adriana Matoshi, Fatmir Spahiu Bufi, Emir Hadzihafizbegovic, Gordana Boban, May-Linda Kosumovic dhe Lum Veseli. Filmi është me skenar nga Arian Krasniqi dhe Ismet Sijarina. Premiera botërore për filmin artistik “Nëntor i ftohtë”, u mbajt në edicionin e 66 të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të San Sebastianit. Filmi ka në qendër Fadilin, i cili punon si arkivist në një ndërmarrje shtetërore, në Kosovën e fillim viteve ’90. Ai duhet të zgjedhë mes dy opsioneve të gabuara. Në këtë mënyrë ai jashtë vullnetit dhe dëshirës së tij, “gëlltit” turpin, ballafaqohet me imazhin e keq dhe duron presionin nga të gjitha palët. Më herët regjisori ka pohuar se filmi sjell një histori familjare, por e bazuar mbi ngjarje të vërtetë. “Secili njeri, pa marr parasysh rolin dhe ndikimin e tij në shoqëri, ka një rrëfim për të thënë. Ka shumë rrëfime të tilla, që mbesin të pathëna, sepse konsiderohen po aq të parëndësishme sa edhe përjetuesit e tyre. “Nëntor i ftohtë” është një nga këto rrëfime, që nuk do duhej të thuhej. Ky film sjell një histori familjare, të bazuar mbi ngjarje të vërtetë, në një kohë të turbullt, kur ne nuk mund të thuhet se jetonim, por vetëm ekzistonim”, tregon regjisori Ismet Sijarina. Muzika e filmit është nga grupi “Jericho”, producent Fatmir Spahiu, Arian Krasniqi. Projekti filmik “Nëntor i ftohtë” është produksion i shtëpive filmike “Thumbs Up” dhe “Buka”, në bashkëprodhim me “Albasky Film”, “Audiohaus” dhe “Ikone”. Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare Kinematografike e Shqipërisë. Gjatë Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë në qytetin e Pogradecit për pesë ditë në sallën e kinemasë së qytetit u shfaqën filma të realizuar nga regjisorë shqiptarë dhe nga vende të ndryshme si Greqia, Mali i zi, Maqedonia e Veriut, Kosova, Bullgaria, Serbia etj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here