Për Italinë, kriza politike në Shqipëri duhet të zgjidhet nga aktorët e brendshëm. Në konferencën e përbashkët me homologun Edi Rama në Tiranë, kryeministri Guiseppe Conte kërkoi nga mazhoranca që t’i ofrojë opozitës një platformë për dialog konstruktiv. Por, theksoi Conte, dialogu duhet të zhvillohet pa kushte.
“Vëmendja jonë është e përqëndruar kryesisht në aftësinë e Shqipërisë për të zgjidhur krizën e saj politike. Kjo do të përbëjë një pjekuri të saj institucionale. Është e rëndësishme që mazhoranca t’i propozojë opozitës një platformë për të qasur një dialog më konstruktiv dhe ky dialog të zhvillohet pa kushte”, u shpreh kryeministri Italian.








































