Kryeprokurorja Arta Marku deklaroi dje se organi i akuzës ka nën hetim zyrtarë të lartë, në kuadër të luftës kundër korrupsionit. Marku, gjatë fjalës së saj, në Këshillin e Integrimit Europian, foli për kushtin që Bundestagu gjerman i ka vendosur Shqipërisë, një faktor që, plotësimi i tij, e çon vendin tonë një hap më afër hapjes së negociatave. Kryeprokurorja gjithashtu u shpreh se vitin që shkoi, prokuroria ka evidentuar përparim në luftën kundër korrupsionit. “Në zbatim të rekomandimit për përparimin e mëtejshëm drejt ndjekjeve dhe dënimeve përfundimtare kundër grupeve të organizuara kriminale, gjatë vitit 2018 në veprimtarinë e prokurorisë evidentohet përparim dhe rritje e numrit të hetimeve pro-aktive në ndjekjen penale kundër grupeve të strukturuara kriminale, duke përdorur mjetet speciale të hetimit në 64 procedime për veprat penale në fushën e trafiqeve të paligjshme, pastrimit të parave apo krimeve të tjera të rënda”, u shpreh Kryeprokurorja Arta Marku. Kjo e fundit, shtoi më tej se statistikat tregojnë ulje të numrit të procedimeve të regjistruara. “Lidhur me luftën kundër narkotikëve, treguesit statistikorë evidentojnë tendencë në ulje të numrit të procedimeve të regjistruara, rrjedhojë e goditjes dhe parandalimit të kësaj veprimtarie kriminale. Gjatë gjashtë mujorit 2019 në sajë të përdorimit të mjeteve të posaçme të hetimit (përgjimit të komunikimeve), është mundësuar kryerja e arrestimit/ndalimit të 331 personave të dyshuar për vepra penale në fushën e narkotikëve në kuadër të 235 procedimeve për këto vepra”, deklaroi Arta Marku. Gjithashtu, kryeprokurorja Marku, siguroi anëtarët e KKIE se prokuroria ka marrë rol të rëndësishëm dhe pro-aktiv, në trajtimin e kërkesave të paraqitura nga autoritetet gjyqësore të huaja për ekstradimin e shtetasve nga Shqipëria drejt shteteve kërkuese, apo për njohjen dhe ekzekutimin në Shqipëri, të vendimeve penale të huaja të dhëna ndaj shtetasve shqiptarë. Lufta kundër korrupsionit dhe grupeve të strukturuara kriminale, ishte një nga 9 kushtet që Bundestagu gjerman, i vendosi Shqipërisë pak ditë më parë, ku plotësimi i tyre, e çon vendin pranë hapjes së negociatave. Ndërkohë, dhe pak ditë na ndajnë nga përgjigja përfundimtare e Komisionit Europian, për negociatat.










































