Google search engine
Home Politike Ambasadori i OSBE ultimatum politikës: Shqipëria të gjejë zgjidhje për reformën zgjedhore...

Ambasadori i OSBE ultimatum politikës: Shqipëria të gjejë zgjidhje për reformën zgjedhore deri në fund të vitit

0
309

Ambasadori i OSBE në Shqipëri, Bernd Borchardt i ka bërë dje thirrje Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore që të gjejë një zgjidhje, ndërsa i ka lënë edhe një afat, i cili është maksimumi deri në fund të këtij viti. Ambasadori Borchardt ka dhënë dje një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ku ka nxitur prokurorinë të punojë intensivisht për të gjitha shkeljet. Ai u pyet se çfarë mendonte për zgjedhjet në Shqipëri, për sistemin zgjedhor dhe nëse mendonte se ka ndonjë reformë definitive që do të zgjidhte problemet zgjedhore. “OSBE/ODIHR-i ka formuluar, që prej vitit 2013, rekomandime për përmirësimin e Kodit Zgjedhor. Pjesa e dytë e diskutimit, nisi pas zgjedhjeve të 2017-s dhe kishte të bënte me përdorimin e teknologjive të reja në votim dhe me votimin e shtetasve shqiptarë jashtë vendit. Pjesa e tretë e debatit është më e vonë dhe ka të bëjë me ndryshimin e tërë sistemit zgjedhor”, ka deklaruar ambasadori i OSBE. Ai theksoi se OSBE ka dëshirë për të ndihmuar Shqipërinë që të përmirësojë sistemin e saj zgjedhor, përmes zbatimit të rekomandimeve të OSBE-së. “Disa rekomandime janë tepër teknike, prandaj nuk po ndalem në to. Në këto tryeza, kemi diskutuar se si zgjidhen këto probleme në vende të tjera, në sisteme të tjera. Ne do të vijojmë të mbështesim Shqipërinë në këtë mënyrë. Vendimi i Parlamentit gjerman, që kërkon nga Shqipëria zbatimin e reformës, i jep një hov të ri këtij debati. Në fund të vitit të shkuar, u hartuan dy projektligje që adresonin rekomandimet e OSBE/ODIHR-it deri në vitin 2017. Njëri prej tyre mbulonte rreth 90 për qind të tyre, ndërsa projektligji tjetër ishte paksa më i dobët, por, gjithsesi, janë një pikënisje e mirë”, tha Borchardt. Ai foli edhe në lidhje me qëndrimin e opozitës jashtëparlamentare dhe propozimin e kësaj të fundit për reformën zgjedhore. “Nuk mund të flas në emër të partnerëve tanë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës apo të Bashkimit Europian, por besoj se edhe ata do të ishin të gatshëm të kontribuonin në këtë debat. Di që edhe partnerë të tjerë të Shqipërisë dhe miqtë tanë të Këshillit të Europës kanë punuar me strukturat shqiptare për financimin e partive, për shembull. Por, sa i takon vendimmarrjes, Kushtetuta e Shqipërisë e përcakton shumë qartë: duhet shumicë e cilësuar në Parlament”, nënvizoi ambasadori i OSBE.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here