Prokurori Artur Selmani, goditet për herë të dytë nga vetingu. Kolegji i Posaçëm i Apelimit, la dje në fuqi vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurorit Artur Selmani, e dhënë nga shkalla e parë e vetingut, në nëntor të vitit që shkoi. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pas hetimit të trefishtë, për pasurinë, figurën dhe aftësitë profesionale, shkarkoi prokurorin e Prokurorisë së Përgjithshme, Artur Selmanin, pasi nuk justifikon pasurinë. Subjekti i rivlerësimit, nuk arriti të bindë Komisionin, se kursimet e tij rreth 2.5 milion lekë në bankë dhe 900 mijë në shtëpi kishin burim të ligjshëm. Po në kriterin e pasurisë, KPK, gjatë relacionit, vë në dukje se subjekti i rivlerësimit, ka mungesë të dokumentacioni ligjor justifikues për burimin e krijimit të depozitës në shumën prej 2.5 milionë lekësh në një bankë dhe gjendjen cash në shumë prej 950 000 lekësh. Prokurori gjithashtu pretendon se ka fituar shumën 10 mijë dollarë në baste sportive. Si fillim, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, u fokusua kryesisht në faktin se këto kursime ishin krijuar prej fitimeve nga bastet në masën 10 mijë dollarë, por e hodhi poshtë këtë deklaratë të prokurorit, pasi sipas KPK, nuk paraqiti asnjë dokument justifikues rreth fitimeve prej 4 mijë eurosh në vit nga lotaritë sportive. Lidhur me këtë mungesë, prokurori është justifikuar me kohën e kaluar dhe me faktin se ILDKPKI nuk ia kishte vënë në dukje mungesën e dokumentacionit gjatë viteve kur kishte bërë deklarimin. Lidhur me figurën, KPK, duke iu referuar DSIK, subjekti i rivlerësimit, është i pa përshtatshëm për të vijuar detyrën, pasi ndaj tij ka pasur ankesë nga familjarët e viktimave në Cole të Vlorës, të cilët pretendojnë se prokurori Selmani ka lehtësuar akuzën për të pandehurit. Artur Selmani ishte një nga 7 kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm, ndërsa në shkurt të 2017, Artur Selmani, u pezullua nga detyra me urdhër të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, për shkak të lehtësimit të akuzës për autorin e një masakre me tre viktima në vitin 2015 në qytetin e Vlorës. Prokuroria e Përgjithshme paralajmëroi hetim për “shpërdorim detyre”, por akuzat u rrëzuan 4 muaj më vonë.










































