Në zgjedhjet komunale në Hungari ka humbur dukshëm partia Fidesz e kryeministrit Viktor Orban. Fidesz ka humbur shumicën në shumë qytete, ndër to edhe në kryeqytet. Në Budapest ka humbur pushtetin kryetari i bashkisë, Istvan Tarlos, nga partia populiste e djathtë Fidesz, e cila është në pushtet atje prej vitit 2010. Komisioni zgjedhor bëri të ditur pas numërimit të 90% të votave se kryetari i deritanishëm i bashkisë ka fituar vetëm 44,3 % të votave. Ndërsa kundërshtari i tij nga e qendra e majtë, Gergely Karacsony ka fituar 50,5 %, që është një fitore shumë më e thellë se sa që pritej. Përveç kësaj, kandidatët e opozitës i kanë fituar zgjedhjet në 13 nga 23 qarqet zgjedhore në Budapest. Deri tani Fideszi ka pasur 17 kryetarë bashkie të rretheve të kryeqytetit. Në bashkinë e Budapestit opozita do të ketë 18 ndërsa Fidesz-i 14 mandate. Edhe këtu partia e Viktor Orbanit e ka humbur shumicën e deritanishme. Aleancat opozitare fitojnë në shumë qytete Opozita ka kandiduar kësaj radhe me aleanca të gjëra në shumë qytete dhe komuna, duke përfshirë jo vetëm parti politike por edhe shoqërinë civile. Kështu Karacsony për shembull ka fituar me aleancën e ekologjistëve dhe lieralëve – Partia Dialogu për Hungarinë. Në vitin 2014 ai kishte fituar me mbështetjen e socialistëve kandidaturën për kryetar bashkie në rrethin Zuglo në Budapest. Aleancat opozitare kanë fituar edhe në qytete tjera të mëdha në Hungari. Kandidatët opozitarë kanë fituar ndër të tjera edhe në Pecs, Miskolc, Szombathely dhe Eger, ku më parë kryetarët e bashkive kanë qenë nga partia Fidesz. Ndërsa në bashkitë rurale më shumë vota kanë fituar përfaqësuesit e partisë në pushtet dhe kandidatët e pavarur.