Zgjedhje e Kryeprokurorit të ri vijon të zvarritet. Ditën e djeshme Këshilli i Lartë i Prokurorisë pritej të miratonte metodologjinë për pikëzimin e kandidatëve, por nuk është arritur një gjë e tillë. Shkak kanë qenë disa ndryshime të propozuara nga anëtarët e KLP-së gjatë diskutimeve në mbledhje. Sipas ligjit për organizimin dhe funksionimit të prokurorisë, kriteret që vlerësohen janë: kriteret profesionale, morale, organizative e drejtuese dhe elemente plotësuese, vlerësimi, tituj akademik, trajnime, gjuhë të huaja. Bazuar në këtë dokument për secilin aspekt, kandidatët do të vlerësohen me pikë dhe ai që grumbullon numrin më të lartë të pikëve renditet i pari në listë. Kjo nënkupton që nëse Kuvendi nuk gjen konsensus për të votuar njërin nga tri kandidatët me 84 vota, atëherë lista rikthehet në këshill dhe Prokuror i Përgjithshëm emërohet ai që është renditur i pari. Por pikëzimi i kandidatëve për Kryeprokuror mbetet peng edhe i ankimimit që ka bërë në Gjykatën Administrative kandidati i skualifikuar Lulzim Alushaj, e cila do të shqyrtohet të martën në16 tetor.
Reagon Gent Ibrahimi
Pas përfundimit të mbledhjes, kreu i KLP Gent Ibrahimi në një reagim për media u shpreh se ankimimi i kandidatit të skualifikuar Lulzim Alushaj në Gjykatën Administrative është pengesë ligjore. “Miratimin e metodologjisë për vlerësimin dhe caktimin e pikëve për renditjen e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm. Jemi në një fazë të avancuar të procesit për përzgjedhjen e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm. Procesi është pezulluar për shkak të ankimit të vendimit të Këshillit në lidhje me skualifikimin e një kandidati. Deri në pritje të shqyrtimit të ankimit, Këshilli përgatitet për fillimin e procesit të vlerësimit dhe pikëzimit dhe kjo metodologji i shërben këtij procesi”, u shpreh kreu i KLP, Gent Ibrahimi.
12 kandidatë u pranuan në Shkollën e Magjistraturës
Por një tjetër në rendin e ditës së mbledhjes së KLP ishte edhe “Miratimi i raporteve të verifikimit të pasurisë dhe figurës, për disa kandidatë të pranuar në formimin fillestar në Shkollën e Magjistraturës”. KLP miratoi listën me 12 kandidatë të pranuar në Shkollën e Magjistraturës, mes të cilëve ishte Denisa Plaku, Besmira Vishe dhe Redona Ndoni. Një tjetër emër i miratuar ishte edhe Albulena Kulici. Me shumicë votash u miratua edhe emri i Vasjana Postol, Alban Syri, Ndriçim Halilaj dhe Iva Harka. KLP miratoi edhe listën e emrave të Fjorda Shqarri, Entela Hasmujaj, Esmeranda Basho dhe Ledjana Shkurti, të cilat u miratuan në Shkollën e Magjisraturës. Mbledhja e KLP vijoi më tej me pikat e tjera të rendit të ditës, ku është miratuar me 9 vota pro projekt akti për caktimin në detyrë të prokurores Edlira Bako në Prokurorinë e Shkallës së Parë Elbasan. Gjithashtu me 8 vota pro dhe 2 kundër (anëtarët Bujar Sheshi dhe Kostaq Beluri) është miratuar projekt akti për caktimin në detyrë të prokurores Pranvera Gruda në Prokurorinë e Shkallës së Parë Durrës. Me shumicë votash u miratua projekt akti për caktimin e përkohshëm të prokurorit Gjon Fusha si Drejtues në Prokurorinë e Shkallës së Parë Gjirokastër.
Elisjeda Kiko