Ministria e Jashtme ka zbardhur dje detajet e planit për Shengenin Ballkanik. Zëvendësministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Etjen Xhafaj, deklaroi sot se Shengeni Ballkanik ka të bëjë me 4 liritë themelore: lëvizjen e mallrave, shërbimeve, kapitaleve dhe njerëzve. Në një intervistë televizive, ai u shpreh se nuk ka një dokument të firmosur, por ka një dokument që vendos se cili është qëllimi që duhet të arrihet me liberalizimin e komunikimit të lirë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ai u shpreh se nuk do të ketë vende që garojnë me njëri tjetrin, por një model zhvillimi rajonal. I pyetur nëse ka pasur një ftesë për Kosovën, Xhafaj tha: “Kosova është ende në mbyllje të një procesi elektoral dhe ende nuk ka një rezultat zyrtar të miratuar nga KQZ. Rrjedhimisht, qeveria e re do të ketë edhe prioritetet e veta edhe për politikën e jashtme. Ajo që është theksuar dje, është se nisma do të jetë e hapur. Nuk duhet të lexojmë tej mase atë që nuk është në këtë proces. Ky është një proces i hapur në kuadër të procesit të Berlinit”. Sipas tij, minishengen pa Kosovën nuk ka. Ai u shpreh se ka një ngërç në marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës dhe Serbisë, i cili duhet kaluar. Z/ministri dha detaje duke u shprehur se në 10 nëntor do të studiohet dokumenti i parë strategjik i këtij procesi. Ai ka folur dhe për hapjen e negociatave. “Hapja e negociatave dhe BE kanë qenë një spirancë shumë e fortë për të gjitha reformat që janë ndërmarrë. Historia e BE është e bazuar mbi një model specifik kushtesh. Ajo që po ndodh sot është që po harrohet se procesi i negociatave është një proces përmirësimi i të gjitha politikave dhe sektorëve brenda vendit. Po vihen kushte apriori. Ne i kemi pranuar këto kushte, por kemi të bëjmë me pak konfuzion në këtë nivel. Kjo do të thotë se deri tani ka pasur një proces konkret, disa kushte, një organizëm që është Komisioni Europian që i ka monitoruar këto kushte dhe pastaj kanë qenë alternativat e tjera. Ka një teori tjetër që thotë se nuk i kemi plotësuar kushtet. Në fakt, organizmi që i monitoron kushtet na thotë se i kemi plotësuar kushtet. Kemi konfuzion”, tha ai.