Akademiku Rexhep Qosja komentoi ditën e djeshme procesin zgjedhor në Kosovë, ku deklaroi se propozimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zgjidhjen e problemeve mes Kosovës dhe Serbisë të shihen me kujdes nga liderët e partive politike. Gjatë një interviste për mediat, Qosja u shpreh se SHBA-BE është shumë e përkushtuar ndaj Kosovës, duke shtuar se propozimet e tyre duhet të shihen me një kujdes të madh. “SHBA-të kanë caktuar përfaqësuesin e tyre, i cili do të jetë pjesëmarrës në këto bisedime mes palës shqiptare dhe asaj serbe. Tani a do merren parasysh ato që mund të kërkohen nga BE dhe SHBA që do të propozohen prej qeverisë së Kosovës nuk e di, por unë di një gjë prej krizës lindore, çështjet mes shteteve Ballkanike, jo të gjitha të herët, por në pjesën më të madhe të rasteve janë zgjidhur si kanë kërkuar fuqitë e mëdha. A do të ndodhë kjo mes Kosovës e Serbisë?
Do ta shohim. Propozimet e SHBA dhe BE-së për zgjidhjen e problemeve duhet të shihen me kujdes të madh. SHBA-të janë shtetet me rëndësi të madhe për gjendjen e shtetit. Duhet të kemi parasysh përkushtimin e tyre ndaj Kosovës”, u shpreh Rexhep Qosja. Më tej, akademiku deklaroi se presioni i ndërkombëtarëve ndaj Albin Kurtit është shumë i madh, duke shtuar se duhet të shihet sesi Kurti do zbatojë propozimet e SHBA-BE. “Nuk e dimë ende se çfarë karakteri do të jetë ajo trysni e ndërkombëtarëve. Mund të supozojmë se mund të kërkojnë një shkëmbim territoresh, një pjesë të veriut me Luginën e Preshevës, këtë sa territor do ta caktonin ekspertët, por në qoftë se ne duam që çështja e Kosovës, mosmarrëveshja e Serbisë me Kosovën, kjo çështje të zgjidhet historikisht ne duhet të mendojmë dhe për këtë mundësinë e shkëmbimeve të territoreve. E di se ky mendim ka shumë pak përkrahës. U pajtuan mes kufirit me Malin e Zi, ku Kosova i dhuroi Malit të Zi afro 9 mijë ha tokë pse këta burra e trajtojnë si ide antikombëtare idenë e shkëmbimit të territoreve? Sidoqoftë të shohim se çfarë do të propozojnë SHBA-të dhe BE”, u shpreh akademiku Rexhep Qosja.








































