Google search engine
Home Politike Parlament Miratohet ligji “Për Korporatën e Investimeve”, opozita e re kundër, ja përplasjet...

Miratohet ligji “Për Korporatën e Investimeve”, opozita e re kundër, ja përplasjet mes Ahmetaj, Harxhit dhe Roshit

0
359

Komisioni i Ekonomisë dhe Financave miratoi dje ligjin “Për Korporatën e Investimeve”, që u miratua me ndryshimet propozuara nga Komisioni Europian dhe FMN-ja. Lidhur me këto propozime, deputetët e opozitës së re, ishin kundër. Gjatë komisionit, zv. ministri i Ekonomisë, Elton Harxhi, pati një diskutim me deputetin Artur Roshi, ku më pas ndërhyri edhe deputeti socialist Arben Ahmetaj. Artur Roshi gjatë diskutimeve pyeti se ku ndryshon PPP-ja me partneritetin ndërmarrje shtetërore me privatin. Ndërsa Elton Haxhi në përgjigjen e tij u shpreh se është një partneritet si gjithë të tjerët, duke shtuar se nuk ka një transferim rrisqesh nga njëra palë te tjetra. Artur Roshi u shpreh se korporata është një ndërmarrje me të drejtë private, pavarësisht kapitalit.

“Një nga qëllimet e kësaj korporate, thuhet në relacion, është që të marrë përsipër risqet ose pamundësitë e hartimit të projekteve të privatëve. Pra, ç’është kjo ndërmarrje shtetërore që merr përsipër risqet e privatit. Më tej thuhet kemi iniciativa të privatëve për të zhvilluar prona të ndryshme shtetërore. Pra, këto mos janë kërkesat ose ofertat e pakërkuara, po për prona më të vogla. Kjo do të thotë që këtu, përveç PPP-ve që kanë zaptuar këtë pjesën kryesore të ekonomisë, kemi dhe këto të voglat. Nëse kjo korporatë falimenton, e kujt është përgjegjësia?”, tha Artur Roshi. Ndërsa Arben Ahmetaj u shpreh se nëse falimenton korporata, buxhetit të shtetit nuk i kalon asnjë detyrim. Por sipas tij, do të ketë përgjegjësi shteti nëse falimenton. Në mbledhjen e djeshme, zv. ministri Harxhi, pas këmbënguljes së deputetëve të BD, tha se ende nuk është hartuar lista e pronave shtetërore. “Ende nuk ka një listë të saktë për pronat që do të jenë kapital i Korporatës së Investimeve, por unë mund t’ju them si shembull që ndonjë port i vjetër i braktisur në bregdetin shqiptar mund të jetë në listë, ose ndonjë pronë në bregdetin shqiptar që nuk ka pasur interes për t’u zhvilluar, për shkak të mungesës së infrastrukturës”, tha zv. ministri Harxhi. Ndërkohë, projektligji pritet të kalojë në Parlament. Gjatë komisionit të zhvilluar dje, u bënë me dije ndryshimet e pësuara në projektligjin e “Korporatës”, përkatësisht në  nenin 3, në pikën 1, në nenin 4 është hequr pika 4, neni 5 është spostuar, neni 12 është bërë neni 9, neni 13 bëhet neni 10.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here