Rreth 24 orë ju desh Policisë së Vlorës për të zbardhur vdekjen e Stavri Minos, mesditën e së dielës. Vdekja e 56-vjeçarit, në plazhin e vjetër të Vlorës, ishte vrasje dhe jo aksidentale, ndryshe nga sa policia raportoi paraprakisht. Dy vëllezër dhe një i afërm i tyre janë arrestuar pasi e dhunuan Stavri Minon. Uniformat blu të qytetit bregdetar fillimisht thanë se gjithçka nisi për motive banale, por burimet flasin edhe për një konflikt për çështje pronësie mes personave që u përfshinë në këtë konflikt. Pas hetimeve intensive dhe marrjes në pyetje të familjarëve të viktimës si dhe personave të përfshirë në konflikt rezultoi se vdekja e 56-vjeçarit, Stavri Mino, pasditen e së dielës në Vlorë ishte vrasje. Ai u dhunua me grushte e shkelma nga tre persona që tashmë janë vënë në pranga. Policia e qytetit bregdetar thotë se ka arritur të zbardhë ngjarjen që fillimisht u raportua për vdekje aksidentale nga blutë. Në prangat e uniformave blu të qytetit bregdetar përfunduan vëllezërit Astrit dhe Agron Hameti, 48 dhe 56 vjeç dhe i afërmi i tyre Nusret Hoda 57 vjeç. Të prangosurit Astrit Hameti, Nusret Hoda dhe Agron Hameti do të përballen me akuzën “Vrasje me dashje”. Në deklaratën për shtyp të Policisë së Vlorës, thuhet se këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë goditur fizikisht 56-vjeçarin, i cili për pasojë gjeti vdekjen. Në njoftimin e parë të policisë, menjëherë pas ngjarjes, bëhej e ditur se “pas një konflikti midis disa personave, njëri prej tyre ra në tokë pa ndjenja duke ndërruar jetë. Viktima nuk ka shenja dhune të dukshme”. Por, pas ekspertizës mjeko-ligjore u zbulua e vërteta. Në trupin e viktimës janë konstatuar shenja dhune duke sjellë arrestimin e tre personave. Mendohet se konflikti mes tyre ndodhi pasditen e së dielës në zonën e plazhit të vjetër në Vlorë. Dyshohet se shkak për konfliktin mes tyre është bërë një çështje pronësie. Viktima ndërhyri për të shmangur sherrin mes tre të arrestuarve dhe vëllait, por në këtë moment u sulmua me grushte dhe sende të forta duke gjetur vdekjen. Ndaj tre të arrestuarve materialet në ngarkim të tyre iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë për veprime të mëtejshme.
Ngjarja
Ngjarja ndodhi në zonën pranë kabinave të plazhit të Vjetër, rreth orës 16:20. Nga informacionet paraprake të dëshmitarëve okularë, dyshohet se viktima ka ndërhyrë për të shuar një konflikt mes të vëllait dhe 2 personave të tjerë, të cilët dyshohen të jenë pronarët e lokalit ku nisi përplasja. Burimet thanë se Stavri Mino ndodhej në lokal bashkë me vëllanë e tij. Në një kënd tjetër, ndodheshin vëllezërit Hameti dhe kunati i tyre. Sipas policisë ata kanë qenë duke konsumuar alkool, kur në një moment janë përfshirë në një debat fillimisht verbal, e më pas në konflikt fizik. Burrat duke u rrahur me njëri-tjetrin kanë dalë jashtë lokalit. Aty, Stavri Mino, ka marrë disa goditje dhe është rrëzuar mbi një gur, duke humbur jetën. Sipas burimeve, gjithçka nisi për një të sharë. Por, nuk përjashtohet as pista e konflikteve për çështje të tjera. Fillimisht policia raportoi se në trupin e viktimës nuk u konstatuan shenja dhune, por ka qenë ekspertiza mjeko-ligjore që ka nxjerrë shkaqet e vdekjes. Menjëherë pas zbardhjes së kësaj ngjarjeje të rëndë Policia e Vlorës ka arrestuar në flagrancë për veprën penale “Vrasje me dashje” kryer në bashkëpunim të shtetasve: Astrit Hameti, 48 vjeç, banues në Vlorë, Nusret Hoda, 57 vjeç, banues në Vlorë dhe Agron Hametin, 56 vjeç, banues në Vlorë. Të arrestuarit kanë mohuar akuzat, ku kanë deklaruar se nuk kanë pasur asnjë qëllim të vrisnin Minon, duke u shprehur se gjithçka ka ndodhur aksidentalisht. Sipas tyre, 56-vjeçari ka rënë pas goditjes në një gur dhe ka pësuar gjakderdhje, ndërsa kanë shtuar se nëse ambulanca do të kishte mbërritur më shpejt, mund të kishte shpëtuar.
Elvis MYRTA