Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zbardhi ditën e djeshme vendimin për prokurorin e Vlorës Ardian Ylli. Ky i fundit, doli para vetingut në muajin korrik, ku pas seancës dëgjimore trupa gjykuese e kryesuar nga Roland Ilia, me relator Olsi Komici dhe anëtare Valbona Sanxhaktari vendosën shkarkimin e Ardian Yllit nga detyra e prokurorit, pas problemeve me pasurinë. Ditën e djeshme, KPK zbardhi vendimin në faqen zyrtare, ku vuri në dukje se Ardian Ylli rezultonte me bilanc negativ pas analizës financiare dhe me shpenzime të pambuluara me të ardhura të ligjshme. “Komisioni, përgatiti analizën financiare të rishikuar për subjektin e rivlerësimit dhe konstaton se ai nuk ka pasur burime të ligjshme financiare për të justifikuar investimet, kursimet dhe shpenzimet e kryera nga prej tij dhe personave të lidhur me të, duke rezultuar me një balancë financiare negative, përkatësisht në vitet 2004, 2006,2008, 2010-2015, në vlerën prej 4,197,149 lekësh. Nga hetimi rezultoi se subjekti i rivlerësimit ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar shpenzimet e kryera prej tij dhe personat e lidhur, ndër vite. Subjekti ka bërë deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë lidhur me kreditë e marrë në Fondin Besa nga bashkëshortja e tij për qëllime biznesi, përkatësisht në vitet 2004 dhe 2006”, thuhet në vendimin e KPK. Ndërkohë sa i përket kontrollit të figurës dhe vlerësimit të aftësive profesionale, prokurori Ardian Ylli rezultoi i pastër dhe pa asnjë problem. Po ashtu, KPK njoftoi se për subjektin e rivlerësimit, Ardian Ylli, rezultoi se deri në momentin e mbylljes së hetimit administrativ, janë bërë pesë denoncime nga publiku, më konkretisht nga viti 2017 deri në 2019. Ylli e ka filluar karrierën në vitin 1994 në Prokurorinë e Përgjithshme, ndërkohë në vitin 1998 ai është emëruar prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës. Në vitin 2013 Ylli është transferuar si prokuror pranë Prokurorisë së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier dhe në vitin 2015 është promovuar si drejtues. Në vitin 2017-të Ylli është komanduar si drejtues i Prokurorisë Vlorë.