Banka Botërore pozicionohet kundër letrës që kryetari i PD-së Lulzim Basha u dërgoi bankave pak ditë më parë duke u kërkuar që të mos financojnë PPP-të, pasi kur të vijë në pushtet do t’i anulojë.
Kreu i PD, Lulzim Basha iu dërgoi gjithë bankave një letër pak ditë më parë duke iu kërkuar që të mos financojnë PPP-të, pasi kur të vijë ai në pushtet do t’i anulojë. Për këtë çështje ka reaguar ditën e sotme edhe Banka Botërore, e cila pozicionohet kundër këtij qëndrimi.
Përfaqësuesja e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor Maryam Salim gjatë një konference për mediat në Tiranë e pyetur mbi këtë çështje u përgjigj duke thënë se PPP-të nuk janë një gjë e keqe dhe se u takon bankave të vendosin vetë se ku duhet të financojnë. Ajo theksoi se jo të gjithë i realizojnë projektet vetë, por kërkoi më shumë transparencë për kontratat e PPP-ve që firmosen.
“PPP nuk janë një gjë e keqe se asnjë vend nuk i përmbush të gjitha nevojat infrastrukturore vetë, çështja është si i menaxhoni, transparenca, përfitimet dhe përparësitë. Ajo ku duhet të investojnë apo jo bankat, ua lë atyre, se çdo bankë kur vendos shikon se çfarë ka kuptim për ata. Kemi një sektor mjaft të gjallë në Shqipëri. Nuk duhet të themi që nuk duhet të ketë PPP, por ti bëjmë ato më transparente” tha ajo.
Ndërsa përfaqësuesja për Shqipërinë, Hilda Shijaku u shpreh se “Ndryshimet në ligjin e koncesioneve janë pozitive. Po punojmë për hartimin e një raporti për kontratat koncesionare, për të parë kostot dhe ndikimin që kanë në ekonomi”.
Bana Botërore ka ulur parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë dhe shkak për këtë është bërë sektori energjetik, por edhe kriza politike. Fillimisht u parashikua në nivelin e 3.7% rritja ekonomike, më pas u ul në 3.5% tani ka rishikim të rritjes ekonomike në 2.9%. “Paqëndrueshmëritë politike shkaktojnë pasiguri në zhvillimin e biznesit. Ka patur ngadalësim të konsolidimit fiskal, vazhdoni reformat për konsolidim. Shqipëria është e dyta në rajon për borxhin më të lartë publik. Vendi duhet të nxis eksportet dhe duhet të zbatojë reformat strukturore” tha përfaqësuesja e Bankës Botërore, ndërsa theksoi se Kosova është e para në rajon. “Kosova ka rritjen më të lartë ekonomike”.
Përfaqësuesja e Bankës Botërore komentoi edhe aksionin anti informalitet dhe fiskalizimin. “Informaliteti dhe baza e ulët e tatimpaguesve është shkak për nivelin e ulët të të ardhurave. Duhet zgjeruar baza e tatimpagusve. Nëse fiskalizimi rrit kontrollet mbi tatimpaguesit dhe transaksionet atëherë është nismë pozitive”. Por për korporatën e Investimeve cfarë mendon Banka Botërore?
“Kur bëhet fjalë për investimet e Korporatës kemi një sërë shqetësimesh që ia kemi komunikuar qeverisë në draftin e parë, e dimë që BE-ja ka rishikuar draftin e fundit dhe është e kënaqur, ne jemi duke e parë, pasi ta shikojmë do të japim komente. Do të mbështesim qeverinë për një sërë çështjesh”, përfundoi ajo.





































