Kërkesat e artistëve në harresë, sindikata në pritje të takimit me përfaqësues të MK, Reshat Ibrahimi: Grupi i punës vetëm në letër

0
355

Në Ministrinë e Kulturës pas takimit të datës 3 qershor me kryesinë e Sindikatës së Pavarur të Artistëve të Shqipërisë nuk ka pasur tjetër për kërkesat, që prej vitesh artistët i kanë bërë me dije. Letrat në drejtim të Ministrisë së Kulturës kanë vijuar dhe më parë, por në datën 3 qershor ka qenë takimi që krijoi optimizëm se do të vijonte puna në lidhje me kërkesat e artistëve. President i SPASH, Reshat Ibrahimi shprehet se në datën 9 shtator i janë drejtuar me një letër ministres së Kulturës Elva Margariti, duke pritur për takimin me grupin e punës. “Ne jemi në pritje për tu takuar, për të filluar puna në lidhje me kërkesat tona, që ne ia kemi parashtruar ministrisë. Letra e fundit është dërguar në ministri më datë 9 shtator, ku kërkonim që të fillonte puna mbi bazën e takimit të datës 3 qershor, që bëri ministrja Margariti me kryesinë e sindikatës”, pohon Reshat Ibrahimi. Në reagimin e tij Ibrahimi shprehet se ish ministrja e Kulturës në më shumë se pesë vite nuk bëri gjë për kërkesat e artistëve dhe nuk duhet të ketë më zvarritje për të nisur takimi në ministri për plotësimin e tyre. “Në takimin që u bë herën e fundit, u ra dakord që dy kërkesat tona janë të ligjshme dhe të drejta, si dhe do të fillonte puna. Në lidhje me problemin për uljen e moshës së daljes në pension është ngritur grupi i punës prej kohësh, por ai nuk funksionon. Pra është në letër si grup pune dhe puna nuk ka filluar akoma. Ne presim që të fillojë puna sa më shpejt për kërkesat tona, ndaj pas takimit që u bë në qershor ne i dërguam dhe një letër tjetër më datë 9 shtator për të rikujtuar dhe rifutur në punë ministren, me qëllim që ajo mos të kthehet si ish ministrja më parë, që mbajti pesë vjet e gjysëm peng problemet e artit shqiptar”, vijon Ibrahimi.

Reforma në institucione

Përballë problemeve që janë në art dhe kulturë, president i SPASH Reshat Ibrahimi shprehet se reforma në institucione po mbetet peng. “Unë kam folur me sekretaren e ministres, që ka thënë do të bisedohet me qëllim për të filluar puna dhe veprimet. Situata në institucionet e artit çdo ditë keqësohet. Reforma në institucionet e artit dhe kulturës po vazhdon të mbetet peng prej moshës së lartë, që kanë artistët sot për të dalë në pension. Nuk ka reformë në institucionet e artit dhe kulturës pa u bërë reforma e pensioneve. Kjo është një nga çështjet më themelore. Në art dhe kulturë jemi në një ngërç institucional, që çdo ditë po përkeqësohet. Kjo zgjidhet përmes reformës së pensioneve dhe ligjit të ri të artit dhe kulturës, që ne e kemi kërkuar prej kohësh”, shton më tej Reshat Ibrahimi.Drejtues i Grupit Vokal në Ansamblin Popullor, Gramoz Burba shprehet se nga Ministria e Kulturës duhet bërë shumë më tepër për artistët, por kjo është një situatë që përsëritet prej vitesh. “Ne kemi njëzet vjet, që i kërkojmë kërkesat tona. Duhet të nisi puna dhe ne ia kemi parashtruar kërkesat ministrisë. Por tani nuk po i bën më përshtypje”, pohon Burba. Në letrën, që mban datën 9 shtator, SPASH kërkon takim me ministren e Kulturës dhe shpreh keqardhjen që u bënë disa muaj, që asgjë nuk ka lëvizur për të nisur punën për kërkesat e tyre. “Sindikata e Pavarur e Artistëve të Shqipërisë, ju ka falënderuar për takimin e datës 3 qershor 2019, të bërë me ju, duke na krijuar një optimizëm në realizimin e kërkesave tona. Me keqardhje konstatojmë se u bënë tre muaj pas takimit dhe asgjë nuk ka lëvizur për fillimin e punës së përbashkët, për: 1- “Statusin e artistit”, që 80 për qind e tij është ulja e moshës së daljes në pension, të disa gjinive të artit që futen në profesione të vështira; 2-Për të bërë ligjin e ri “Mbi artin dhe kulturën”; 3-Për rritjen e pagave për artistët dhe punonjësit e art e kulturës gjatë vitit 2019, pasi atyre nuk ju rriten pagat, si punonjësit e gjithë Shqipërisë”, thuhet në letrën drejtuar ministres së Kulturës Elva Margariti, e firmosur nga presidenti i SPASH Reshat Ibrahimi. Në letrën drejtuar ministres së Kulturës për këto kërkesa, thuhet se duhet të nisë puna me një program konkret. “Për të filluar konkretisht punën, për realizimin e tre kërkesave, duhet për një periudhë të shkurtër kryesia e sindikatës të ulet në takim me ju, për të fiksuar me detaje ecuritë, me një program konkret”, vijon letra e firmosur nga presidenti i SPASH.

Nga Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here