Përplasjet brenda mazhorancës sa vijnë dhe bëhen më të forta. Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati teksa ka komentuar zgjedhjet në Kosovë dhe ka uruar fituesit, ka dhënë dhe një mesazh të fortë për kryeministrin Edi Rama. Përmes një statusi në rrjetet sociale, deputeti Bushati theksoi se Kosova i dha një mesazh të fortë Shqipërisë se si bëhen zgjedhjet, ndërsa ka sulmuar indirekt Ramën duke i treguar se zgjedhjet janë garë njerëzish me vlera dhe jo të fortësh siç e kthyen. “Përtej fitores së Albinit dhe Vjosës, në Kosovë, mbi të gjitha, fitoi standardi dhe kultura demokratike. Procesi zgjedhor, bazuar në një sistem që kombinon disiplinën partiake me mundësinë që ka çdo qytetar për të renditur kandidatët për deputetë sipas preferencës së tij, sikundër mënyra, korrektesa dhe shpejtësia me të cilën u numërua vota e qytetarëve, ishte një leksion më vete për ne. Kosova, një dekadë shtet, na dha mësime të vlefshme, edhe pse ne e kemi lënë pas një shekull shtet. Në demokraci zgjedhjet janë garë vlerash dhe jo të fortësh. Partitë politike i nënshtrohen konfirmimit të vendimeve nga populli, ku qytetarët kanë mundësi të rendisin të preferuarit e tyre në listat e kandidatëve për deputetë, çka forcon kontrollin demokratik ndaj vendimmarrjes”, deklaroi ai. Më herët gjatë ditës së djeshme, ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka uruar Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin për zgjedhjet në Kosovë, teksa u shpreh se qytetarët kanë vendosur për ndryshimin. Bushati shprehet në rrjetet sociale se Kosova i dha leksione të rëndësishme Shqipërisë mbi mënyrën e organizimit të zgjedhjeve. “Kosova, një dekadë shtet, na dha mësime të vlefshme, edhe pse ne e kemi lënë pas një shekull shtet. Në demokraci zgjedhjet janë garë vlerash dhe jo të fortësh. Partitë politike i nënshtrohen konfirmimit të vendimeve nga populli, ku qytetarët kanë mundësi të rendisin të preferuarit e tyre në listat e kandidatëve për deputetë, çka forcon kontrollin demokratik ndaj vendimmarrjes”, nënvizoi mes të tjerave ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.