Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka reaguar pas akuzave të kryeministrit Rama dhe zv. kryeministrit Erjon Braçe, kundrejt prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoi, se mbështet një grup kriminal në Durrës. Në një deklaratë për mediat, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, i bëri thirrje Ramës dhe Braçes, që të denoncojnë pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda të gjitha rastet e dyshuara të kryerjes së veprave penale nga çdo prokuror dhe për çdo rast të shkeljeve disiplinore të denoncojnë pranë Prokurorit të Përgjithshëm dhe institucioneve të veting-ut. “Këshilli i Lartë i Prokurorisë inkurajon deklaruesit, si dhe çdo subjekt tjetër publik ose privat, të denoncojnë pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda të gjitha rastet e dyshuara të kryerjes së veprave penale nga çdo prokuror i Republikës, ndërsa dyshimet për kryerjen e shkeljeve disiplinore duhet të denoncohen pranë Prokurorit të Përgjithshëm (deri sa të krijohet Inspektori i Lartë i Drejtësisë) dhe institucioneve të veting-ut”, shkruhet në deklaratën e KLP.
KLP i drejtohet qeverisë
Në deklaratën për mediat, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, i drejtohet qeverisë, duke u shprehur se këto deklarata të ardhura nga përfaqësuesit e qeverisë mund të paragjykojnë ecurinë dhe përfundimin e një procesi gjyqësor në vijim dhe të procedurave të tjera ligjore. “Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka ndjekur me vëmendje deklarimet publike të drejtuesve të qeverisë në lidhje me procedurat ligjore të ndërmarra nga Prokuroria dhe Gjykata e Shkallës së Parë Durrës për caktimin e masës së sigurisë ndaj drejtorit të Drejtorisë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Këshilli vëren se deklarimet e sipërpërmendura janë të tilla që mund të paragjykojnë ecurinë dhe përfundimin e një procesi gjyqësor në vijim dhe të procedurave të tjera ligjore”, shkruan më tej KLP. Këshilli i Lartë i Prokurorisë i bëri thirrje edhe prokurorëve, që te vijojnë në punën e tyre, në shërbim të shoqërisë. “Nga ana tjetër, Këshilli i Lartë i Prokurorisë iu bën thirrje të punojnë me përgjegjshmëri të lartë në zbatim të kompetencave të tyre kushtetuese për ushtrimin e ndjekjes penale dhe përfaqësimin e akuzës në shërbim të shoqërisë”, shkruhet në deklaratë, duke përfunduar se mënyra më e mirë për të arritur tek e vërteta është respektimi i procedurave dhe i institucioneve të ngarkuara nga ligji me dhënien e drejtësisë.
Ja akuzat e Ramës
Kryeministri Edi Rama akuzoi prokurorin Arjan Ndoi se mbështet një grup kriminal në Durrës. Kreu i qeverisë, pak ditë më parë, paralajmëroi në rrjetet sociale, prokurorin e Durrësit se nuk do ti shpëtojë pastrimit nga sistemi. “Prokurori i Durrësit që shantazhoi për hesap të një organizate kriminale zyrtarin e shtetit dhe më pas kërkoi burgosjen e tij, është mishërimi tipik i llumit të sistemit të drejtësisë, që nuk ka asnjë shans t’i shpëtojë pastrimit nga sistemi! Ky llum po kryen akte kriminale padrejtësie, me moton “Do ikim që do ikim, të kapim ç’të kapim!””, shkruan kryeministri. Kujtojmë se para këtij postimi, Rama në foltoren e Kuvendit, foli për një prokuror, që mbështet një grup kriminal në Durrës, por pa i përmendur emrin.
Ornela Çelpica