Sot, KLP ka nisur hetimet për prokurorin e Durrësit, Arjan Ndojin. Prokurori është përfolur shumë ditët e fundit pasi u akuzua edhe nga zv/kryeministri Erion Braçe si i lidhur me krimin.
Prokurori dha urdhër-arresti për Liridon Pulën, kreun e Kadastrës së Durrësit me akuzën për “shpërdorim detyre”. Menjëherë pas këtij arrestimi, reaguan zyrtarët e lartë pasi akuzojnë Prokurorin që po vepron jashtë-ligjit. Rama deklaron i prerë se Ndoji nuk do i shpëtojë drejtësisë dhe se kjo ditë nuk do të vonojë.
Ndërsa Braçe e akuzon prokurorin Arjan Ndoji se gënjeu në gjykatë për personin që ka bërë padinë ndaj Liridon Pulës. Ai thekson se kallëzuesi është anonim dhe jo pronar, apo investitor i pronave në Gjirin e Lalëzit. Sipas tij, ish-drejtori i Kadastrës, nuk përmendet në asnjë resht në padi.
Liridon Pula u arrestua në zyrë nën akuzat për “Shpërdorim Detyre”, ndërsa u shpall në kërkim edhe ish-drejtori i Legalizimeve, Flamur Gjuzi, për “Shpërdorim Detyre”. Në vend të Pulës është vendosur Arjan Cengu.










































