
Megjithëse i ngecur në hetimet e shkarkimit nga posti prej skandalit të kërkesës jo publike për hetimin rivalit të tij politik Joe Biden, Presidenti Donald Trump ka nisur dje një kundërsulm jo vetëm duke pranuar veprimin, por duke i bërë thirrje një tjetër vendi të huaj të hetojë bizneset e ish-zv. presidentit demokrat Joe Biden. “Kina duhet të hapë një hetim për Biden dhe të birin, sepse ajo që ka ndodhur në Kinë është po aq e rëndë sa dhe çështja e Ukrainës”, tha Trump për gazetarët jashtë Shtëpisë së Bardhë. Ai nuk tha nëse i kishte kërkuar drejtpërdrejt presidentit Xi Jinping të hetonte Biden dhe të birin Hunter por tha: “Sigurisht që është diçka për të cilën kemi nisur të mendojmë”. Mediat amerikane thonë se këto thirrje publike që reflektojnë një sjellje private, janë pika kryesore ku mbështetet hetimi demokrat i shkarkimit, pra përdorimi i postit për nxitjen e liderëve të huaj të hetojnë rivalët politikë. Trump dhe avokati i tij personal Rudy Giuliani janë përpjekur të ngrenë pikëpyetje mbi bizneset e Hunter Biden në Kinë, duke u bazuar në shkrimet e autorit konservator Peter Schweizer.
Presidenti Xi nuk do ta lejonte kurrë
Presidenti Trump vazhdoi më tej akuzat. “Kjo është diçka për të cilën duhet menduar, se nuk besoj se presidenti Xi do të dëshironte të zbulonte se miliarda dollarë dalin jashtë vendit të tij, nga një person që sapo është përzënë nga marina amerikane. Është përzënë nga marina dhe papritur fiton miliona dollarë. Çfarë do të thotë kjo?” tha Trump, duke iu referuar dëbimit të Hunter Biden nga ushtria pasi rezultoi pozitiv në testin e kokainës. Më tej presidenti diskutoi progresin në bisedimet tregtare me Kinën, për çka tha se javën që vjen zyrtarët kinezë do të jenë në Uashington për rinisjen e bisedimeve. Presidenti Trump po përpiqet kështu të zgjerojë akuzat e tij ndaj klanit Biden përtej Ukrainës, teksa ditët e fundit ka përsëritur akuza ndaj Hunter Biden se ka përdorur avionin shtetëror Air Force Two në një udhëtim me babanë në vitin 2013 për të marrë 1.5 miliardë dollarë nga Kina për një institucion financiar që kishte nisur.
Akuzat e shkarkimit
Trump ka refuzuar hetimet për shkarkimin e tij duke sulmuar më herët kreun demokrat të Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin, Adam Schiff, duke sugjeruar se duhet të arrestohet për “tradhti”. Schiff drejton hetimin për procedurën për shkarkim ndaj presidentit. “Ligjvënësi Adam Schiff, në mënyrë të paligjshme sajoi një deklaratë të rreme, të tmerrshme, me pretendimin se e kisha bërë unë, e paraqiti si pjesën më të rëndësishme të telefonatës sime me presidentin ukrainas dhe e lexoi para Kongresit dhe popullit amerikan. Nuk kishte asnjë lidhje me çka thashë unë në telefonatë. Arrestim për Tradhti?” pyeste Trump në një koment. Në një tjetër nga komentet, Trump citonte një koment të zymtë të një udhëheqësi fetar, i cili thoshte se largimi i tij nga zyra do t’i shkaktonte vendit “plagë si të Luftës Civile”. Trump përmendi citatet e udhëheqësit televiziv baptist Robert Jeffress pasi njihet që presidenti ndjek programin e tij të së dielës mbrëma. “Unë dua të bëj këtë parashikim këtë mëngjes: Nëse Demokratët arrijnë me sukses të largojnë Trump nga presidenca, kam frikë se kjo do të shkaktojë fraktura si të Luftës Civile në kombin tonë, nga të cilat mund të mos shërohet kurrë”, kishte thënë Jeffress. Trump ripostoi më pas citatin e tij duke redaktuar pak fjalët në dëm të demokratëve.
Andi Lamko







































