Ditën e djeshme u zhvillua seanca e radhës në procesin e audiopërgjimit të publikuar nga Partia Demokratike, ku dyshohet se ishte i përfshirë në trafik droge vëllai i ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. Në përballje me Gjykatën e Tiranës dolën ish-deputeti i PD Ervin Salianji, Jetmir Olldashi dhe Fredi Alizoti. I pandehuri i katërt, Albert Veliu i njohur ndryshe si “Babalja”, prej kohësh ndodhet në Belgjikë, ku dhe ka kërkuar azil politik. Por gjatë seancës së djeshme u bë me dije se shteti belg i ka refuzuar Veliut kërkesën për azil, duke i hapur rrugë ekstradimit të tij në Shqipëri. Për këtë shkak prokuroria tha se i duhet kohë të mësojë më shumë detaje rreth tij, pasi është kërkuar pyetja në cilësinë e të pandehurit. Ndërkohë që gjatë seancës gjyqësore, ish-deputeti i PD Ervin Salianji, në cilësinë e të pandehurit tha se opozita kishte pasur informacione të vazhdueshme se Agron Geron Xhafaj, vëllai i ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj ishte i përfshirë në trafik të lëndëve narkotike, por denoncimin më të fundit e mori nga gazetari Jetmir Olldashi. “Për Geron Xhafën, mora një denoncim të ri nga gazetari Jetmir Olldashi. Ai më tha se ishte duke bërë një investigim të madh, që kishte lidhje me qeverinë. Meqë unë jam marrë me denoncimin e bandave, ma solli mua. Materialin audio e kam marrë disa muaj para publikimit, ishte në CD, ose USB. Në këtë material ishte vëllai i ish-ministrit me Albert Veliun. Edhe tabulatet telefonike e vërtetojnë që unë kam folur me Jetmir Olldashin e më pas me Albert Veliun. Pas publikimit të materialit kam pasur kontakte me të dhe familjarët, pasi Veliu më ka thënë se ishte në rrezik për jetën. Sa herë kishte kontakte me persona të ligjit ai më shprehte shqetësim”, tha ai. Seanca e djeshme u zhvillua me debate dhe përplasje të forta mes Ervin Salianjit dhe avokatit Ardian Visha, i cili mbron interesat e Geron Xhafajt. Salianji e akuzoi Vishën si personi që kishte penguar ekstradimin e Agron Xhafajt në kohën kur kishte punuar në sektorin e marrëdhënieve me jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme. “Si në rastin që e kam denoncuar dhe ka shkuar në burg pas 10 vitesh, pritet dhe mund të kemi denoncim tjetër, nga mediat kemi indicie që edhe shtetasi Ardian Visha si drejtor i Drejtorisë së Marrëdhënieve me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme nuk ka lejuar ekstradimin e shtetasit Agron Xhafaj, duke shkelur detyrën”, tha ai. Ndërkohë avokati Visha i ka cilësuar si të pavërteta pretendimet e avokatit dhe i ka kërkuar sqarim ish-deputetit se si ishte njohur me materialin dhe përse nuk e kishin dorëzuar atë bruto.


































