Pas ekzekutimit të Besnik Hidës, Policia e Lushnjes nisi hetimet dhe punën për zbardhjen e ngjarjes. Uniformat blu të qytetit myzeqar nisën kontrollet në banesat e personave që dyshohet se janë autorët e vrasjes së 40-vjeçarit. Nga një kontroll i bërë ditën e djeshme, në banesën e Julian Sulos, u gjetën 70 mijë euro dhe një makinë që kapte shifrën e 100 mijë eurove. Ndërkohë, mësohet se kanë vijuar hetimet dhe verifikimet për evidentimin e pasurive të tjera që mund të jenë në emër të këtij dhe personave të lidhur me të. Sula është një emër i njohur për policinë dhe emri i tij figuron në disa ngjarje kriminale, Policia e Lushnjes ka dyshime se 39-vjeçari mund të ketë lidhje edhe me vrasjen e tregtarit Besnik Hida mëngjesin e së martës. Ai njihet si person me precedent penal dhe me rrezikshmëri të lartë. Mësohet se Sula ka vetëm 3 muaj që është liruar nga burgu, pasi ishte arrestuar për kundërshtim të forcave të policisë. Më 18 mars të viti të kaluar Julian Sulo u arrestua nga Policia e Lushnjës dhe FNSH-të e Fierit, pasi nuk iu bind policisë ndërsa lëvizte me makinë të blinduar dhe i është gjetur një armë me 15 fishekë. Policia iu vu në ndjekje dhe pas disa minutash, ai braktisi makinën si dhe hodhi armën që mbante, një pistoletë tip “Grand Power” Q 100, me 15 fishekë. Më pas Julian Sulo është munduar të largohet me vrap në rrugicat e qytetit, në lagjen “Gafur Muço”, por arratia e tij ka zgjatur shumë pak. 37-vjeçari lëvizte me një automjet të blinduar, tip “BMW”. Një tjetër ngjarje është ajo e 11 qershorit 2016 kur Julian Sulo u plagos pas ndeshjes Shqipëri-Zvicër në një pikë bastesh, në lagjen “Skënder Libohova”. Lokali në fjalë ishte në pronësi të Arjan Aliços, i njohur ndryshe si “Arti i Braçes” një 53-vjeçar, i dënuar më parë për vrasje dhe që njihet si një nga ushtarët e Aldo Bares. Ai u qëllua me thikë rreth 20 herë dhe me leva aq sa u la si i vdekur buzë rruge dhe u shpëtua nga një kalimtar i rastit. Sula nuk përmendi kurrë emrin e ushtarit të Aldo Bares si autor, por Arjan Aliço mori përsipër krimin dhe ndodhet në burg. Ndërkohë në 29 janar të këtij viti banesa e Arjan Aliços në lagjen “18 tetori” të Lushnjes u qëllua me armë zjarri, por nuk pati persona të lënduar. Sulo mbante armë dhe për këtë gjë ishte në dijeni edhe policia, pikërisht për shkak të ngjarjes ku mbeti i plagosur rëndë. Mësohet se Sulo e mbante armën për vetëmbrojtje, nga frika e një sulmi tjetër të mundshëm.
Hetimet për vrasjen e Besnik Hidës
Grupi hetimor në Lushnje ka përcaktuar dhe pistën e parë të hetimeve për vrasjen e Besnik Hidës mëngjesin e së martës. Viktima prej dy vitesh i ofronte policisë informacion rreth autoreve që i ekzekutuan nipin e tij, Zamir Latifin. Besnik Hida i cili u ekzekutua egërsisht mëngjesin e së martës, kërkonte drejtësi për nipin e vrarë dy vite më parë nga bandat. Interesimi i viktimës së djeshme për zbardhjen e atentatit të tetorit 2017, ku viktimë mbeti Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, i ka shqetësuar autorët e masakrës. Ai shumë herë është parë në shoqërinë e njerëzve të antikrimit dhe të prokurorëve duke afruar të dhëna dhe informacione. Kjo është nga pistat kryesore ku po orientohet grupi hetimor për vrasjen e Besnik Hidës, i cili nuk ka patur asnjë problem me ligjin.
Hida kishte biznes për pjesë këmbimi të makinave të përdorura dhe njihej si person i qetë dhe i komunikueshëm me të gjithë. Pas ngjarjes janë marrë në pyetje familjarë të viktimës, por askush nuk ka vënë gishtin mbi personat që kryen ekzekutimin.
Edhe për ngjarjen e dy viteve më parë nuk ka asnjë të arrestuar. Prokuroria në bashkëpunim me Policinë e Shtetit ka nisur hetimin duke marrë në shqyrtim edhe njëherë të gjitha dosjet nga koha kur iu vu tritol mjetit të Besnik Hidës, deri tek ngjarjet që kanë të bëjnë me vrasjet në rrethin familjar. Deri tani nuk ka asnjë person të ndaluar. Vrasja e Hidës u krye nga dy atentatorë të maskuar. 40-vjeçari u qëllua me kallashnikovë kur po pinte kafen e mëngjesit mbi tarracën e katit të dytë të një biznesi në Lushnjë.
Autorët ashtu sikurse u ngjitën, u larguan qetësisht përmes dy hyrjeve të shkallëve të kafenesë. Poshtë ndodhej makina e vjedhur në Tiranë, e cila më pas u gjet e djegur bashkë me tre armët te varrezat e makinave në dalje të qytetit.
Besnik Hida u masakrua me kallashnikov dhe ekspertët gjetën në trup dhe në kokë më shumë se 20 plumba.
Elvis MYRTA