Kombëtarja shqiptare e futbollit po bëhet gati për dy ndeshjet e tetorit kundër Turqisë dhe Moldavisë.
Rëndësia e këtyre dy përballjeve është jetike për kuqezinjtë pasi pas këtyre dy ndeshjeve do të përcaktohet edhe rrugëtimi i Shqipërisë drejt Euro 2020.
Trajneri Edi Reja ka planifikuar që në radhët e skuadrës të ketë sa më shumë njohës të mirë të rrjetës dhe ai i ka dërguar ftesë Armando Sadikut duke e rikthyer kështu në kombëtare.
Reja e sheh si një element i cili mund të japë diçka ndryshe në ndeshjet e radhës të kuqezinjve, aq më tepër që ka shënuar dy vite më parë në miqësoren ndaj Turqisë.