Gazetari i njohur Sokol Balla, ditën e sotme ka qenë i ftuar në një universitet privat për të folur për eksperiencën e tij dhe rrugëtimin e gjatë që kur nisi ditën e parë të punës dhe deri tani që numëron plot 27 vite në gazetari.
Balla rrëfeu ditën e parë të punës si gazetar, në vitin 1992, në Radio Televizionin Shqiptar, për të vijuar me gjithë stacionet e rrugëtimit të tij deri ne ndalesën më të fundit, në televizionin informativ, News24.
“E nisa nga lajmet nga bota dhe ishte çështje fati dhe një fillim shumë i mirë. 28 gushti i vitit 1992, ajo ka qenë dita ime e parë e punës, pak ditë pasi fitova konkursin në gazetari. Kam gjithë imazhin e asaj dite gushti dhe nga ajo ditë vrapi im në shtegun e gazetarisë aktive nuk ka ndaluar.
Lëvizja ime te News24 kishte 3-4 vjet që kishte nisur, një komunikim shumë i mirë e njerëzor me Z.Hysenbelliu, ai kishte vite që më paralajmëronte se do të vinte ky moment. Për mua është një lëvizje normale. Unë jam një gazetar i lajmit, jam një gazetar politike dhe unë shkoj në një televizion lajmesh.” shprehet Balla.


































