Tetor i ngjeshur për KPA, brenda muajit vendoset fati për Besnik Muçin, ja çështjet e tjera që do të shqyrtohen

0
321

Tetori pritet të jetë muaj i ngjeshur për Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. KPA ka patur “bum” çështjesh sepse i janë drejtuar si gjyqtarët e prokurorët e shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ashtu edhe Komisioneri Publik. Gjatë tetorit deri tani pritet të shqyrtohen katër dosje, por pritshmëritë janë që të ketë edhe çështje të tjera që të regjistrohen e gjykohen. Muaji do të nisë me dosjen e prokurorit të Krimeve të Rënda, Besnik Muçi. Ai është kandidat për Strukturën e Posaçme Antikorrupsion, por edhe për Gjykatën Kushtetuese. Muçi përfundoi në KPA pas ankimimit që bëri Komisioneri Publik, i cili kërkon shkarkimin e tij. Komisioneri Publik kundërshtoi vendimin e dhënë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit sepse sipas tij, Muçi ka probleme me pasurinë. Deri tani për të është mbajtur vetëm një seancë, ku prokurori u përball edhe me një raport sekret të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar që e kishte në zotërim Komisioneri Publik. Ky i fundit kërkoi që ky raport të merrej si provë, por sot KPA do të mblidhet për të vendosur nëse do ta pranojë apo jo. Në seancën e mëparshme u dëgjuan parashtrimet e Besnik Muçit, i cili hodhi poshtë pretendimet e Komisionerit për pasurinë e tij dhe dorëzoi edhe disa dokumente si prova të reja. Duke qenë se Muçi është kandidat për dy nga organet më kryesore të vendit, pritet që çështja e tij të gjykohet brenda tetorit dhe të merret vendimi përfundimtar nëse do të shkarkohet nga detyra apo do të lihet në fuqi vendimi i KPK. Një tjetër çështje që do të shqyrtojë KPA gjatë këtij muaji është edhe ai i gjyqtarit të Gjykatës Administrative të Apelit, Artur Malaj. Edhe ai është konfirmuar nga KPK, por tani Komisioneri Publik kërkon shkarkimin e tij. Seanca për të do të mbahet në 3 tetor. Dy çështje të tjera që presin vendimin e KPA gjatë tetorit janë ato të Sotiraq Lubonjës dhe Artur Selamit. Që të dy ata kërkojnë nga KPA të rikthehen në detyrë, por mundësitë janë të pakta duke qenë se gjithmonë Kolegji për të shkarkuarit ka lënë në fuqi vendimet e KPK. Për fatin e Lubonjës do të vendoset në datën 8 tetor, ndërsa për Selmanin në datën 14. Një tjetër çështje me rëndësi që pret të marrë përgjigje nga KPA është ajo e kryeprokurores së Krimeve të Rënda, Donika Prela. E konfirmuar në detyrë, Prela rrezikon shkarkimin sepse Komisioneri Publik i ka gjetur probleme me pasurinë. Por për të nuk është caktuar akoma një datë për seancën dëgjimore.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here