Avokat Spartak Ngjela ka shpërthyer ditën e djeshme në sulme dhe akuza në adresë të Presidentit Ilir Meta. Teksa komentoi raportin paraprak të Komisionit të Venecias, në një studio televizive Ngjela shprehu bindjen se ky draft ka rrëzuar Metën, edhe pse sipas tij, ky i fundit i kishte varur shpresat tek ky komision për të dalë faqebardhë në luftë e nisur të tij me mazhorancën qeverisëse. Në këtë kontekst, ai theksoi se Presidenti Meta ka kryer shkelje të rëndë të Kushtetutës me anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, duke kërkuar ndjekje penale për të. “Ai i Presidentit ishte akt administrativ i pavlefshëm. Atë e tha KQZ-ja, institucioni të cilit i shkoi dekreti. Në rast se KQZ do të zbatonte një dekret të pavlefshëm, do të shkonte në burg. Moszbatimi i ligjit ka nen të veçantë në Kodin Penal, kështu që Presidenti pse nuk e çoi KQZ-në në Prokurori? Sepse e dinte se dekreti i tij ishte i pavlefshëm. Nëse Presidenti do të ndiqet penalisht është shenjë e mirë për historinë e Shqipërisë, pasi kjo tregon që po fillon të funksionojë pushteti gjyqësor. Shkelje e lehtë apo e rëndë e vendos gjykata dhe ata e kanë përmendur këtë gjë në raport. Komisioni, Parlamenti dhe Gjykata Kushtetuese do të thonë të vetën. Shkelja është e rëndë, Presidenti nuk ka më shpresë. Shpresa e fundit e tij ishte Venecia.. Është ende me paterica, por Gjykata e re Kushtetuese që del ka aktin e parë të saj atë me Presidentin. Aty do të shikojmë se si po ecën Shqipëria. Pas shkarkimit, Meta do të presë Gjykatën Kushtetuese. Nëse Gjykata Kushtetuese nuk vjen, atëherë qëndron në detyrë si President”, deklaroi ai. Ndërkohë, po dje përmes një statusi në rrjetet sociale, Ngjela hodhi akuza në adresë të kryedemokratit Lulzim Basha dhe opozitës joparlamentare, duke deklaruar se kërkon bllokimin e reformës në drejtësi, pasi ka frikë prej saj. “Partia Demokratike me liderët e saj u hodh në një sulm antishtet për gjashtë muaj rresht, duke filluar që nga janari i këtij viti. Por nuk arriti dot asgjë edhe pse me kërkesën e saj antishtet, dorëzoi mandatet e deputetëve opozitarë: Ajo nuk bëri dot as kryengritje, por nuk bllokoi dot as Parlamentin. Pse, këta mediokër do të mundnin politikën amerikane!! Ku e njohin trendin botëror këta individë që, nga mediokriteti që i karakterizon e kanë ditur shtetin shqiptar një plaçkë tregu! Po, përse e ndërmorën të gjithë këtë lëvizje kaq elektrike? Të gjitha këto i ndërmorën për të bllokuar reformën në drejtësi, se kjo reformë i rrezikon seriozisht liderët e saj”, nënvizoi Ngjela.



































