Këshilli i Lartë i Prokurorisë po punon me vrull që të zgjedhë sa më parë kryeprokurorin e ri. Javën e shkuar KLP ju hapi rrugën për të vijuar më tej garën tri emrave: Arta Markut, Fatjona Memçajt dhe Olsian Çelës. Nga ana tjetër, gara u ndërpre në mes për avokatin Lulzim Alushaj i cili nuk përmbushte kushtet për të kandiduar më tej për kryeprokuror. Pas këtij vendimi, KLP do të mblidhet sërish sot për të vendosur për procedurat që do të ndiqen më tej për renditjen përfundimtare të kandidatëve. Gjatë seancës së sotme do të miratohet metodologjia që do të ndiqet për vlerësimin, pikëzimin dhe renditjen e garuesve. Përmes kësaj metodologjie, pritet që kandidatët të vlerësohen me pikë, siç u vlerësuan nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi kandidatët për Gjykatën Kushtetuese dhe renditja e tyre përfundimtare të bëhet në bazë të këtyre pikëve. Pjesë e kësaj metodologjie pritet të jenë edhe seancat dëgjimore që do të mbahen me kandidatët. “Dita/Data: E Martë, 01.10.2019; Ora: 12:00; Kohëzgjatja: 1 orë; Vendi: Salla e mbledhjeve të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Thirrur nga: Zv.Kryetari. Pjesëmarrësit: Anëtarët. Të ftuar: Përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, EURALIUS (EU Funded Project), OPDAT (Funded from the United States Department of Justice/ Assistance and Training and Technical Assistance Program), si dhe vëzhgues të tjerë të akredituar. Rendi i ditës: Miratimi i Metodologjisë për Vlerësimin dhe Caktimin e Pikëve për Renditjen e Kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm; Miratimi i projektaktit për mbarimin e statusit të një magjistrati për shkak të dorëheqjes”, thuhet në njoftimin e KLP.
Seancat dëgjimore
Pak kohë më parë Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi një rregullore ku përcaktoheshin të gjithë hapat ligjorë që ndiqen për vlerësimin, pikëzimin dhe renditjen e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm. Në këtë rregullore është përcaktuar edhe se do të mbahet një seancë dëgjimore për çdo kandidat, njësoj siç u bë me garuesit për Strukturën e Posaçme Antikorrupsion. “Këshilli cakton datën dhe orën e seancës dëgjimore. Seanca për secilin kandidat mbahet në praninë e më shumë se gjysmës së anëtarëve të Këshillit. Seanca regjistrohet. Seanca dëgjimore fillon me raportimin e Këshillit për secilin kandidat. Raporti trajton në mënyrë të hollësishme e të justifikuar të gjitha kriteret e vlerësimit të parashikuar nga nenet 6-9 të kësaj rregulloreje. Pas raportimit, i jepet fjala kandidatit i cili ka në dispozicion 10 minuta për të bërë një prezantim. Pas prezantimit, çdo anëtar i Këshillit ka të drejtë t’i drejtojë pyetje kandidatit. Pyetjet do të përqendrohen në kompetencën e kandidatit në fushën e: Rezultateve të vlerësimit profesional të kandidatit në fushën e drejtësisë penale, sipas parashikimeve të detajuara në nenin 6; Integritetit moral të kandidatit, sipas parashikimeve të detajuara në nenin 7; Aftësive organizative dhe drejtuese, sipas parashikimeve të detajuara në nenin 8; Elementeve shtesë të vlerësimit sipas parashikimeve të detajuara në nenin 9”, thuhet në rregullore. Sot pritet të bëhet një plan paraprak se kur mund të nisin seancat dëgjimore dhe cili do të jetë kandidati i parë që do të japë llogari para anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Pas përfundimit të seancës dëgjimore, Këshilli zhvillon një seancë të mbyllur për të vlerësuar cilësitë e secilit kandidat dhe më pas bën renditjen e tyre. Renditja bëhet nga më i miri. Kjo listë i dërgohet më pas Parlamentit që duhet të zgjedhë një midis 3 kandidatëve.
Mimoza Ibra