Presidenca do të shprehë qëndrimin zyrtar brenda kësaj jave për draft-raportin e Komisionit të Venecias që verifikoi veprimet kushtetuese të presidentit Meta.
Këshilltari për Mediat Tedi Blushi konfirmoi se qëndrimi përfundimtar i Kreut të Shtetit do të merret pas konsultimeve ligjore dhe një proçesi shterues të raportit të KV-së.
Komisioni i Venecias konstatoi se kreu i shtetit Meta tejkaloi kompetencat kushtetuese duke çdekretuar datën e zgjedhjeve lokale, 30 qershorin duke ndryshuar datën në 13 tetor. Nga Kruja, Meta i injoroi pretendimet e Venecias duke thënë se rëndësi ka data 18 tetor, dita kur Këshilli i Europës do të vendosë për negociatat me BE-në dhe jo 11 tetori kur Komisioni i Venecias do të konfirmojë përfundimisht qëndrimin për vendimet ligjore të kreut të shtetit.
Mesazhi i Tedi Blushit:
Brenda javës institucioni i Presidentit të Republikës do të bëjë publik për opinionin vendas dhe ndërkombëtar Raportin e tij për Draftin e Opinionit të Komisionit të Venecias, gjithmonë në vazhdim të transparencës dhe rëndësisë së çështjes në fjalë, që meriton vetëm shterim kushtetues, ligjor, profesional dhe faktik, larg çdo ndikimi politik dhe të dyshimtë.
ZERO SHKELJE TË KUSHTETUTËS!
MBROJTJE E SHKËLQYER E KUSHTETUTËS!
MBROJTJE E SHKËLQYER E KONVENTËS EUROPIANE TË TË DREJTAVE TË NJERIUT!
MBROJTJE E SHKËLQYER E VENDIMIT TË GJYKATËS SË STRASBURGUT PËR TË DREJTËN E ZGJEDHJES!
MBROJTJE E SHKËLQYER E DETYRIMEVE LIGJORE QË KA SHQIPËRIA NGA MARRËVESHJA E STABILIZIM ASOCIMIT ME BASHKIMIN EUROPIAN!
































