Këshilli i Lartë Gjyqësor u bëri thirrje gjyqtarëve që të kandidojnë për vendet e lira në Gjykatën e Lartë, pas shkarkimit të disa prej anëtarëve nga vetingu. Gjatë mbledhjes së ditës së djeshme, kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami iu drejtua të gjithë gjyqtarëve që plotësojnë kushtet që të aplikojnë për vendin vakant në Gjykatën e Lartë. “Ky është një moment historik, ju bëj thirrje që të aplikoni”, tha ajo. Llagami bëri thirrjen pasi edhe pse kanë kaluar 10 ditë rezulton se ende nuk ka asnjë aplikim. Ndërsa prej javësh në KLGJ është duke u kryer procesi i kontrollit për 8-të kandidatët jo gjyqtarë të cilët kanë aplikuar për 3 vende vakante të shpallura më herët. Ndërkohë që një tjetër vendim që KLGJ-ja mori dje ishte caktimi i Medi Bicit, kryetar të Komisionit të Mbrojtjes së Gjyqtarëve me mandat 2-vjeçar. Bici ka një karrierë prej dy dekadash në sistemin e drejtësisë, ndërsa nga gjykata e lartë ai u përzgjodh si anëtar KLGJ-je. “Sot më datë 26.09.2019, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen e radhës në të cilën shqyrtoi, diskutoi dhe miratoi disa vendime. Më konkretisht, Këshilli, pasi u njoh me raportin e përgatitur nga Komisioni për Vlerësimin e Statusit Individual dhe Karrierën e Inspektorëve të ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe nevojën për të verifikuar disa dokumente, pjesë të dosjes individuale, vendosi të shtyjë me një javë vendimmarrjen mbi statusin individual dhe karrierën e inspektorëve të ish-KLD. Në përputhje me rendin e ditës, Këshilli caktoi Z. Medi Bici, si përfaqësues i KLGJ-së në përbërje të Komisionit për Mbrojtjen e Gjyqtarëve, i cili do të jetë njëkohësisht edhe kryetar i tij në përputhje me kërkesat ligjore”, thuhet në njoftimin e KLGJ. Një tjetër vendim që u morr ditën e djeshme ishte edhe përjashtimi për pedagog nga shkolla e Magjistraturës i gjyqtarit të Apelit Shkodër Aleks Nikolli. “Gjithashtu, Këshilli vendosi të përjashtojë kandidatin Z. Aleks Nikolli, gjyqtar në Gjykatën e Apelit Shkodër, nga procedurat e komandimit, në pozicionin e pedagogut të brendshëm, në Departamentin e Formimit Fillestar të Shkollës së Magjistraturës, për shkak se cenohet funksionaliteti i gjykatës në të cilën ushtron detyrën”, thuhet në njoftimin e KLGJ


































