PS shtyn ligjin për gjobitjen e portaleve pas presionit të OSBE, AKEP paralajmëron bllokimin e domainit për Presidencën dhe 759 sajte

0
293

Partia Socialiste ka shtyrë ligjin për gjobitjen e portaleve pas presionit të bërë nga OSBE. Qeveria dërgoi pak kohë më parë në Parlament paketën anti-shpifje, ku të gjitha kompetencat ia kalonte AMA-s. Kjo gjë u kundërshtua fort nga OSBE, ku kërkonte që AMA të mos ketë të drejtë të trajtojë rastet e shpifjes në media, duke theksuar se ky institucion nuk mund të vihet në rolin e Gjykatës, për të vënë gjoba dhe bllokuar artikuj në internet. Pikërisht ky presion ka bërë që PS të shtyjë miratimin e ligjit. Deputetja Vasilika Hysi u shpreh në Konferencën e Kryetarëve se ky ligj do të miratohet kur të vinë opinionet zyrtare nga OSBE. “Në kalendarin tre-javor të punimeve të Kuvendit në seancën e datës 17 tetor janë parashikuar dy projektligje të rëndësishme që në kalendar kanë numrin 12 dhe 13, lidhur me mediet audiovizive dhe komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë. Komisioni i Ligjeve është komision për dhënie mendimi, por meqenëse ky ligj po diskutohet gjerësisht me OSBE-në pa dyshim do të merret në konsideratë opinioni i OSBE-së, kështu që në vlerësimin tim si një nga relatorët në komision, data 17 nuk është realiste. Nuk ka filluar ende shqyrtimi, nuk ka ardhur opinioni i zyrës së OSBE-së në Vjenë, do të thotë se do të ishte më mirë t’i japim kohën, aq më tepër që këto dy projektligje kanë sensibilitet shumë të madh brenda dhe jashtë vendit”, tha Hysi. Edhe pse ligji nuk është miratuar, kjo nuk e ka ndaluar AKEP të vihet në sulm pas lajmit të rremë të pak ditëve më parë për tërmetin. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare njoftoi zotëruesit e domaineve të regjistruar në Shqipëri të bëjnë përditësimin e të dhënave, sipas kërkesave të rregullores përkatëse. AKEP ka publikuar edhe një listë me mbi 760 domaine të cilët janë të regjistruar direkt pranë këtij institucioni, zotëruesit e të cilëve duhet të saktësojnë të dhënat brenda 30 ditëve, ose përndryshe rrezikojnë mbylljen. Ironik është fakti që mes adresave, shumë syresh i takojnë edhe institucioneve publike, përfshi atë të Presidentit të Republikës. Sidoqoftë, AKEP thekson se detyrimi për përditësimin e të dhënave vlen për të gjitha domainet, përfshi ato që janë të regjistruara pranë ofruesve privatë të autorizuar për këtë shërbim. Portalet janë një kanal i thjeshtë dhe praktik komunikimi, por lehtësia e hapjes dhe administrimit të tyre është bërë një thikë me dy presa. Shumë prej portaleve nuk publikojnë adresë, numër kontakti apo informacion për kompaninë apo individët që i zotërojnë. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here