Kokainë nga Ekuadori në Shqipëri, Ardi Veliu del në konferencë të jashtëzakonshme dhe nxjerr detajet: Operacioni në bashkëpunim me Greqinë (Kush e priti drogën)

    0
    490

    Policia e Shtetit dhe Krimet e Rënda kanë dhënë detaje për operacionin, ku u kap kokainë në portin e Durrësit.

    Në një konferencë për shtyp, kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu bëri me dije se operacioni është realizuar në bashkëpunim me autoritete greke dhe DEA-n amerikane.

    Operacioni ka nisur në muajin gusht. Po ashtu ai theksoi se janë bllokuar 4 konteinerë, janë sekuestruar 137 kg kokainë, ndërsa janë vënë në pranga 2 persona dhe është shpallur në kërkim një tjetër.

    Veliu po ashtu theksoi se të arrestuarit kishin akses në portin e Durrësit.

    Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe persona të tjerë në Portin e Durrësit, duke shfrytëzuar faktin që kishin akses në hyrje dhe dalje në Port bënë të mundur nxjerrjen e një sasie të lëndës narkotike nga kontenieri ku ndodhej në sheshin e kontenierëve dhe dërgimin e saj në një zonë të sigurtë që ata mendonin, por që është sekuestruar nga Policia gjatë operacionit.

    Deklarata e plotë:

    Operacion ndërkombëtar antidrogë i koduar “KUITO”

    Operacioni nga Policia e Shtetit, Policia greke dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, i koordinuar nga DEA Amerikane.

    Sekuestrohen 137 kg lëndë narkotike kokainë.

    Dy persona në pranga dhe një është shpallur në kërkim.

    Në kuadër të luftës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e trafikut të lëndëve narkotike dhe operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara me partnerët, Policia e Shtetit ka finalizuar një tjetër operacion ndërkombëtar për këtë qëllim.

    Policia e Shtetit ne bashkëpunim me Autoritetet Ligjzbatuese Greke në koordinim me Zyrën e DEA-s në Athinë, nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë finalizoi me sukses operacionin ndërkombëtar “KUITO”.

    Policia Shqiptare organizoi  dorëzimin e kontrolluar pas miratimit dhe lejimit nga Autoritetet Greke, procedura të cilat filluan nga pala shqiptare që në muajin gusht 2019 dhe përfunduan sot më datë 27.09.2019.

    Gjatë kësaj periudhe u realizuan disa takime operacionale nga Policia e Shtetit me Autoritetet Policore Greke dhe Zyrën e DEA-s.

    Këto takime u realizuan në Tiranë dhe në Athinë për shkëmbimin e informacioneve dhe mbarëvajtjen e operacionit që do zhvillohej për goditjen e aktivitetit kriminal të personave që trafikonin lëndë narkotike të llojit kokainë nga Ekuadori në Greqi dhe më pas në Shqipëri, nëpërmjet rrugës detare.

    Në realizimin e këtij operacioni, për dorëzimin e kontrolluar janë zbatuar të gjitha teknikat speciale të hetimit,  të miratuara me ligjin nr. 8920., datë 11.07.2002, për Ratifikimin e Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Krimit të Organizuar ndërkombëtar dhe dy protokolleve shtesë të saj.

    Gjatë kryerjes së veprimeve procedurale, u aplikuan me profesionalizëm dhe sukses të plotë të gjitha format dhe metodat speciale te hetimit, të përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale.

    Në përfundim të këtij operacioni, në funksion të dorëzimit të kontrolluar u sekuestrua 137 kg lëndë narkotike, kokainë dhe u arrestuan shtetasit:

    B., 53 vjeç dhe A. M., 35 vjeç, të dy banues në Durrës, si dhe u shpall në kërkim shtetasi G. M.

    Gjatë hetimeve të deritanishme rezulton se këta shtetas ishin pritësit e kësaj lënde narkotike në Durrës.

    Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe persona të tjerë në Portin e Durrësit, duke shfrytëzuar faktin që kishin akses në hyrje dhe dalje në Port bënë të mundur nxjerrjen e një sasie të lëndës narkotike nga kontenieri ku ndodhej në sheshin e kontenierëve dhe dërgimin e saj në një zonë të sigurtë që ata mendonin, por që është sekuestruar nga Policia gjatë operacionit.

    Të gjitha veprimet e kryera nga shtetasit e mësipërm ishin të mbikëqyrura nga strukturat e Policisë së Shtetit, të cilët bënë të mundur sekuestrimin e të gjithë lëndës narkotike, arrestimin e dy shtetasve dhe shpalljen në kërkim të një tjetri, për veprat penale “Trafiku ndërkombëtar i lëndëve narkotike, e kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal”.

    Drejtoria Hetimore Qendrore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda vazhdon punën intensive për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal.

    Gjatë zhvillimit të këtij operacioni morën pjesë Drejtoria Hetimore Qendrore, Departamenti për Kufirin dhe Migracionin, ZQK Interpol Tirana, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë e Durrës dhe Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit Durrës.

    Finalizimi i këtij operacioni tregon edhe njëherë vendosmërinë e Policisë së Shtetit për të luftuar krimin e organizuar, si dhe besimin gjithnjë në rritje të partnerëve për të bashkëpunuar me Policinë e Shtetit.

    Ky operacion i dorëzimit të kontrolluar shënon  një hap cilësor në luftën kundër Krimit të Organizuar.

    Policia e Shtetit siguron qytetarët se është tërësisht e angazhuar për krijimin e një ambineti sa më të sigurt dhe fton cilindo që të denoncojë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital çdo rast të paligjshmërisë.

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here