KLP miraton sot raportin vjetor të punës, 13 prokurorëve iu ndërpriten caktimet e përkohshme, ja pikat e tjera të rendit të ditës

0
355

Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të zhvillojë ditën e sotme mbledhjen e radhës. Gjatë kësaj mbledhjeje KLP pritet të miratojë raportin për aktivitetin e kryer nga muaji dhjetor kur u ngrit si organ deri në korrik të 2019. Pak ditë më parë kryetari i KLP, Gent Ibrahimi raportoi në Kuvend për të gjitha çështjet sensitive. Ai foli për çështjen e Bujar Sheshit, për ngritjen e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion apo edhe për zgjedhjen e Prokurorit të ri të Përgjithshëm. Po ashtu, Ibrahimi u ankua për mungesën e infrastrukturës për të zhvilluar punën. Sipas tij, KLP vijon t’i kryejë mbledhjet tek ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme dhe të Prokurorisë së Apelit Tiranë duke qenë se godina nuk është gati akoma. Nga ana tjetër, pjesë e rendit të ditës për mbledhjen e KLP është edhe miratimi i disa projekt-akteve. “Miratimi i Raportit “Mbi veprimtarinë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për periudhën dhjetor 2018-korrik 2019”. Miratimi i projekt-aktit “Për rregullat për caktimin mbi bazë të parimit të rotacionit të avokatit mbrojtës nga lista e avokatëve që ofrojnë shërbimet e ndihmës juridike dytësore në procesin penal”. Miratimi i projekt-aktit “Për rregullat për garantimin e mbrojtjes së detyrueshme”. Miratimi i Rregullores “Për procedurën e verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore për rekrutimin, emërimin si magjistrat dhe caktimin në pozicion të kandidatëve për prokurorë, si dhe zhvillimin e karrierës së prokurorëve””, thuhet në njoftimin e KLP. Po ashtu, për 13 prokurorë do të ndërpriten caktimet e përkohshme. “Miratimin i projekt–vendimit për caktimin e përkohshëm të prokurorit Z. Edmond Karriqi, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës. Miratimi i projekt-vendimeve për ndërprerjet e caktimeve të përkohshme të 13 prokurorëve të caktuar në Prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm”, përfundoi njoftimi i KLP.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here