Shtohen dyshimet se Partia Socialiste po përgatitet për zgjedhje të parakohshme. Pas kritikave dhe urdhrit që iu dha kryeministri Edi Rama deputetëve të PS gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist në datën 9 shtator të këtij viti, se duhet përgatiten sikur zgjedhjet të jenë sot, kanë nisur edhe lëvizjet e para. Gazeta ka mësuar se ka nisur një rokadë në radhët e deputetëve socialistë. Mësohet se shumë nga deputetët e kësaj partie kanë ndryshuar zonat e mbulimit të elektoratit, nga të cilat kishin dalë deputetët në zgjedhjet e fundit parlamentare të 2017, duke u deleguar në zona të tjera.
Ndryshojnë zonat elektorale
Kështu, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila ka dalë deputete në njësinë numër 9 në Tiranë nga zgjedhjet parlamentare të 2017, mësohet se është deleguar në fshatrat e Tiranës, ku nuk përjashtohet mundësia që në zgjedhjet e ardhshme të përfaqësojë Partinë Socialiste në këto zona. Një tjetër emër që është bërë pjesë e rokadës është nënkryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi, e cila ka dalë deputete nga njësia 7 e Tiranës dhe tani është deleguar në njësinë 2. Ndërkohë, vendin e zonjës Hysi duket se e ka zënë ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Kjo e fundit nuk është deputete, por ka zbritur në terren në njësinë 7, sa i takon riorganizimit të PS, duke treguar se në zgjedhjet e ardhshme do kandidojë në këtë zonë. Po ashtu, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, e cila ka dalë deputete në zgjedhjet e fundit në njësinë 3 në Tiranë, është deleguar në qarkun e Dibrës. Në vend të zonjës Xhaçka është deleguar deputetja socialiste, Klotilda Ferhati. Kujtojmë që zonja Ferhati është zgjedhur deputete në Tiranë, por jo në njësinë numër 3. Sakaq, rokadës nuk i ka shpëtuar as Blerina Gjylameti, e cila është zgjedhur deputete në Tiranë, por që është shkarkuar nga koordinatore e kësaj partie, ndërsa në vendin e saj janë emëruar deputetët Elisa Spiropali dhe Ervin Bushati. Po ashtu, dorës së hekurt të kryeministrit Edi Rama nuk i kanë shpëtuar as kritikët brenda partisë. Bëhet fjalë për ish-ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili u shkarkua nga drejtues i qarkut të Shkodrës në mbledhjen e fundit të Asamblesë. Mësohet se Bushati u bë kurban për shkak të zërave kritikë kundër qeverisë. Ky i fundit ka munguar në disa mbledhje që Rama ka zhvilluar me koordinatorët e veriut, ndërsa ditët e fundit është parë në terren në Tiranë, duke lënë dyshime se në zgjedhjet e ardhshme nuk do të kandidohet më nga Partia Socialiste. Ndërkohë, kanë rënë në sy edhe prurjet e reja brenda PS, ku zv/ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi është deleguar në njësinë numër 4 në Tiranë, ndërsa ish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, Plarent Ndreca është deleguar në njësinë numër 3, duke treguar se ata do të zëvendësojnë deputetët kritikë dhe përfaqësojnë socialistët në këto zona në zgjedhjet e ardhshme. Nga ana tjetër, mësohet se rokadë deputetësh ka pasur edhe në zona të tjera të vendit.
Malaj drejt “krijimit” të partisë
Por teksa socialistët kanë ndezur motorët për zgjedhje, kritikët e ish-kryeministrit Edi Rama, të cilët deri dje kanë qenë pjesë e Partisë Socialiste, janë vënë në lëvizje. Bëhet fjalë për ish-ministrin socialist, Arben Malaj, i cili ka paralajmëruar një rikthim të fuqishëm në politikë. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Malaj njoftoi dje dorëheqjen nga posti i Konsullit të Nderit të Austrisë në Shqipëri, duke treguar se shkak për këtë vendim është një angazhim i drejtpërdrejtë në sfidat politike. “Të nderuar miq, ndjej detyrim të ndaj me ju faktin se i paraqita Dr. Alexander Schallenberg, Ministrit Federal për Evropën të Austrisë, dorëheqjen si Konsull Nderi i Republikës së Austrisë për Shqipërinë Jugore. Arsyeja kryesor është një angazhim më i plotë dhe i drejtpërdrejtë në sfidat politike të vendit tim. Dorëheqja synon edhe eliminimin e çdo kufizimi nga statuset e nderit që të “kufizojnë” t’i shërbesh me dashuri dhe përkushtim vendit tënd, në çdo kohë dhe në çdo angazhim publik apo politik”, deklaroi ai. Por mësohet se përmes këtij vendimi për t’u rikthyer në politikë, Malaj mund të krijojë një parti të re, pjesë e së cilës mund të bëhen shumë nga zërat kritik brenda PS, sikundër janë ish-ministri Ditmir Bushati, si dhe Arta Dade, etj.
Rigels Seliman


































