Thellohet skandali me operimin e Fondit Besa në vend. Gazeta ka treguar me fakte se si ky fond është përfshirë në mjaft skandale, por vijon edhe sot të operojë pa asnjë problem. Në shkrimin e mëparshëm treguam se si Fondi Besa operoi për më shumë se një vit pa licencë. Referuar raportit vjetor të Bankës së Shqipërisë, Fondi Besa aplikoi për licencë në vitin 2007. “Gjatë vitit 2007 është paraqitur kërkesa nga Fondi “BESA” për marrjen e licencës si subjekt jo bankë”, thuhet në raportin vjetor të BSH. Por ky fond nuk e ka marrë licencën, megjithëse kjo nuk e ka penguar të ofrojë shërbime edhe pse ka qenë në proces licencimi. Fondi Besa e ka marrë licencën në fund të vitit 2008, por me manovra. “Në vitin 2008 shoqëria aksionere Fondi Besa sh.a. u pajis me licencën nr. 10, datë 26.12.2008 si subjekt jobankë për ushtrimin e veprimtarive financiare të parashikuara nga ligji për bankat”, thuhet në raportin vjetor të BSH të këtij viti. Pra nga fundi i vitit 2007 e deri në dhjetor të 2008 Fondi Besa nuk ka pasur licencë. Gazeta tregoi më herët se si ky fond ka dhënë 11 mijë kredi edhe pse ishte pa licencë. Por ky nuk ka qenë aktiviteti i vetëm në shkelje të ligjit, pasi Besa ka hapur plot 41 degë të saj në të gjithë Shqipërinë gjatë vitit 2008. Pra, Fondi aplikoi për licencë dhe për fiks një vit nuk u pajis me të, por kjo nuk e ka ndalur të japë kredi dhe të shtrijë rrjetin e saj. “Megjithëse me një shtrirje të gjerë, por me synimin për të qenë sa më afër klientelës, gjatë këtij viti, Fondi Besa ka vazhduar të zgjerojë aktivitetin e tij. Me 13 zyra rajonale dhe me një rrjet prej 41 degësh, Fondi Besa mbulon pothuajse të gjithë territorin e Shqipërisë që nga Kukësi deri në Sarandë. Gjatë vitit 2008 u hapën edhe 9 zyra të reja. Kjo afërsi ndaj klientelës i jep institucionit një pamje më të qartë të nevojave të tyre gjithnjë rritje, e domosdoshme për tu përgjigjur në kohë dhe me cilësi”, thuhet në raportin vjetor të Besa. Pyetja që shtrohet natyrshëm është: Ku e dinte Fondi Besa se do licencohej? Si mund të veprosh për një vit si fond financiar kur institucioni më i rëndësishëm nuk është shprehur, pra Banka e Shqipërisë. Por sipas të dhënave, ish-Guvernatori Ardian Fullani, bëri gjithçka për të lejuar batërdinë e Fondit Besa, por dhe Guvernatori sot mbyll sytë përballë skandaleve. Fondi Besa është përfshirë në një skandal mashtrimi, por Banka e Shqipërisë hesht dhe vetëm shton licencat ndaj institucioneve të mikrokredisë.
Synimet
Në raportin vjetor të Fondit Besa 2008, tregohet se ky fond ka pasur plane afatgjata. Ndonëse nuk kishte asnjë garanci se Banka e Shqipërisë do miratonte licencën për të, fondi duket se ka bërë planet afatgjata. “Për të realizuar misionin e tij, Fondi Besa operon në përputhje me parimet e funksionimit të sektorit privat në ofrimin e kredisë. Vendimet e menaxhimit merren mbi bazën e realizimit të operacioneve për vetëmbajtje, të cilat nuk mbështeten në subvencione të qeverisë ose donatorëve pas një periudhe pesë-vjeçare. Sipas këtyre parimeve, secila degë do të funksionojë si një qendër kostoje dhe do të arrijë vetëmbajtjen e saj, duke mbuluar shpenzimet operacionale dhe financiare nëpërmjet interesave dhe të ardhurave nga tarifat e kredisë. Përveç fondeve të veta, Fondi Besa do të sigurojë fonde sipas kushteve tregtare nga sektori bankar shqiptar dhe ndërkombëtar, për kredidhënie sipërmarrësve mikro dhe të vegjël shqiptarë. Fondi Besa do të përgatisë dhe ndihmojë gjithashtu, klientët e tij të suksesshëm për të siguruar kredi më të mëdha nga sektori bankar, kur nevojat e tyre kalojnë tavanin e kredisë të ofruar nga Fondi Besa”, thuhet në raportin e Besa.
Kliti Topalli


































