Lojtarët e Kombëtares po kalojnë një moment të mirë me skuadrat e tyre. Jo të gjithë sigurisht, por pjesa më e madhe janë në formë dhe ky është një sinjal i mirë para ndeshjeve të tetorit kundër Turqisë dhe Moldavisë. Padyshim që ndaj turqve luhet dueli vendimtar për fatet e kualifikimit, ose më saktë një duel vendimtar për kuqezinjtë, nëse shpresojnë ende për një “biletë” për në Europianin e vitit të ardhshëm, apo dalin përfundimisht nga objektivat. Duhet thënë se fitorja me Islandën 4-2 në Elbasan ka ringjallur shpresën e kualifikimit, pasi përballjet, edhe pse të vështira, nuk janë të pakalueshme. Përkundrazi, nëse fitohet ndeshja e radhës me Turqinë, atëherë kuqezinjtë kanë shanse reale të bëjnë surprizën. Por që të ndodhë kjo Shqipëria duhet t’i fitojë të katër ndeshjet në grup, gjë që vetëm një optimist ekstrem mund ta besojë, pasi me përjashtim të Andorrës, të tre rivalët e tjerë, Turqia, Moldavia dhe sidomos Franca, janë rivalë të fortë e të vështirë. Gjithsesi, ka optimizëm dhe kjo është pozitive dhe optimizmi vjen kryesisht nga vetë kampi kuqezi, ku lojtarët po paraqiten mirë edhe me skuadrat e tyre në kampionatet e ndryshme europiane. Një prej tyre është Odise Roshi, i cili, në fitoret kundër Moldavisë dhe Islandës, dy ndeshje të luajtura në Elbasan, ka pasur kontributin e tij të padiskutuar në fitoren e skuadrës kuqezi dhe gjashtë pikët nga këto dy përballje janë kryesisht fryt i këmbëve të tij. Edhe pse zhgënjeu ndaj Francës, për shkak të një angazhimi në një pozicion që nuk është roli i tij natyral, Roshi e ka kompensuar këtë dhe është padyshim një prej lojtarëve kryesorë të Kombëtares. Pranohet edhe nga mediat e ndryshme sportive në analizat e tyre, por edhe opinionistët e ndryshëm sportivë se Odise Roshi është kthyer në formë mjaft të mirë pas dëmtimit të rëndë që kishte pësuar kohë më parë. Ai shënoi me Kombëtaren fillimisht dhe pak ditë më vonë realizoi edhe një tjetër gol me Akhmat Groznin në Rusi, duke konfirmuar vazhdimësinë. Në një prononcim për “RTSH Sport”, Roshi u shpreh se skuadra e tij nuk po kalon moment të mirë, por vetë Roshi ndihet mirë fizikisht. Sa i përket Kombëtares, mesfushori pranoi se një fitore në Turqi do të ishte një hap para për kualifikimin drejt Europianit. “Për momentin ekipi im nuk po kalon formë të mirë dhe nuk po fitojmë nga disa ndeshje por nuk jemi jashtë objektivave. Tani duhet të shohim ndeshjen e ardhshme dhe nëse fitojmë jashtë, gjithçka është rregullt. Pas 7-8 muajsh jashtë u ktheva me dy gola radhazi dhe ndihem mirë e po luaj rregullisht. Para 3 ,muajsh firmosa me ekipin ku jam dhe jam i fokusuar këtu. Nuk po mendoj skuadër të re apo diçka, thjesht jam i fokusuar ku jam. Kombëtarja? Kemi një ndeshje shumë të rëndësishme si një finale por matematikisht jemi në lojë dhe nëse fitojmë do të ishte shumë pozitive për Kombin shqiptar”, tha Roshi. Kujtojmë që Roshi e ka efikasitetin e tij më të madh si sulmues i krahut të djathtë, ku ai ka shpejtësi, teknikë të lartë dhe krosime të sakta e të rrezikshme në zonë për sulmuesit, prandaj edhe preferohet nga teknikët e përfaqësueses. Duhet thënë se Roshi këtë rol e mbulon më së miri, por asnjëherë dhe asnjëri nuk e ka kuptuar pse trajneri Edi Reja e futi atë si mbrojtës i majtë në ndeshjen e luajtur në Paris ndaj Francës, një duel ku skuadra jonë u shpartallua plotësisht dhe humbi me rezultatin 4-1. Pra Roshi është i nevojshëm në skuadër dhe këtë e kuptoi edhe Reja, i cili i dha besim në ndeshjen me Islandën si i avancuar dhe u shpërblye, pasi Roshi ishte promotor i fitores, së bashku me Hysajn, duke shënuar gol dhe tani ndodhet në pozita premtuese pasi ka kapur formën e tij më të mirë edhe me Akhmat Groznin në Çeçeni.
Adriatik BALLA