Prokuroria e Korçës mbyll hetimet, dërgohen në gjykatë 5 ish-zyrtarët e Hipotekës të përfshirë në afera korrupsioni

0
416

Prokuroria e Korçës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjykatë dosjen ndaj ish punonjësve të Hipotekës në Korçë. Prokurorja Dhorina Theodhori ka ngritur dy akuza ndaj ish zv/kryeregjistrues Ersild Gorari, kryeregjistruesit Arsidesa Hysi e Leftjon Bardho si dhe dy ish punonjësve të Hipotekës Korçë, Erion Arifi e Andrea Zallemi. Ata do të gjykohen nga Gjykata e Korçës për akuzën e “Shpërdorimit të Detyrës” dhe “Korrupsionit”. Në ditët në vijim pritet që togat e zeza të qytetit juglindor të zhvillojnë seancën paraprake ndaj ish-zyrtarëve, ku do të vendoset nëse çështja do ti kalojë apo jo gjykatës. Sipas hetimeve të kryera, ka rezultuar dëshmia e një punonjësi të Hipotekës Korçë, i cili ka shfaqur pendesë për krimet e kryera të korrupsionit në Hipotekën e Korçës, ka shkëmbyer për zbardhjen e plotë të disa prej rasteve korruptive. Ersild Gorari, një punonjës i Hipotekës së Korçës i vënë nën akuzë për “Shpërdorim detyre” ka pranuar të bashkëpunojë me prokurorinë dhe të tregojë të gjithë skemën e korrupsionit dhe falsifikimit të certifikatave të pasurive. Fillimisht çështja penale ka nisur kundër tij, por pasi punonjësi i hipotekës Gorari është penduar dhe ka pranuar të flasë për prokurorinë, dosja penale është tërhequr nga Gjykata e Korçës dhe çështja ka vijuar duke kryer një sërë veprimesh hetimore shtesë. Këtë herë në ndihmë të hetimit të prokurorisë ka qenë dhe dëshmia e punonjësit Ersild Gorarit, i cili në rrëfimin e tij ka dhënë të plotë skemën e korrupsionit që kryenin zyrtarët e Hipotekës së Korçës. Prokuroria në dosjen e saj në këtë proces ka dokumentuar plot 10 raste, ku këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë përfituar nga rastet e shitblerjes se pronave, duke bërë që transaksionet e detyruara për qytetarët të jepej kesh dhe të përfundonte në xhepat e tyre në këmbim të kryerjes së procedurave.

Hetimet

Nga verifikimi në sistem është konstatuar se zyrtarët e Hipotekës Korçë pajisnin me certifikata pasurie, qytetarë të cilët nuk kishin aplikuar asnjëherë dhe s’kishin bërë ndonjë pagesë për këtë shërbim. Për më tepër që zyrtarët zhduknin nga arkiva e hipotekës regjistrat hipotekarë, duke i marrë me vete në lokale dhe në shtëpi dhe ja lënë në dorë të personave të panjohur në rrugë e lokale, të cilët plotësonin certifikatat e pasurisë dhe firmosnin ato, duke e bërë më të vështirë zbardhjen e përgjegjësisë edhe nëse do kryhej ekspertim grafik i shkrimit. Hetimi ka zbuluar se nga kartelat e pasurisë është konstatuar se në një pjesë të tyre ka ndërhyrje të bëra nga Ersild Gorari apo zv/kryeregjistruesja Arsidesa Hysi dhe në shumicën e rasteve, kartelat dhe certifikatat janë plotësuar fiktive, pa u regjistruar në sistem, raste që janë në një masë shumë të madhe. Ndërkohë sipas dëshmisë së Gorarit, shumat financiare që jepeshin nga qytetarët për të mbaruar punë në hipotekën e Korçës, varionin nga 400 mijë lekë të vjetra deri dhe në 10 milionë lekë të vjetra. Nisur nga konstatimet që dolën gjatë fazës së hetimit, por edhe nga dëshmia e të penduarit prokurorja e çështjes, Dhorina Theodhori ka urdhëruar arrestimin e Ersild Gorari, zv/kryeregjistrueses Arsidesa Hysi, kryeregjistruesit Leftjon Bardho, dhe dy punonjësve të Hipotekës Korçë Erion Arifi, Andrea Zallemi. Ndaj tyre Gjykata e Shkallës së Parë Korçë, ka vendosur masën e “arrestit në burg”, por kjo masë është zbutur në Gjykatën e Apelit Korçë, duke liruar nga qelia disa nga të arrestuarit, kundrejt garancive pasurore. Momentalisht këta persona janë marrë të pandehur dhe çështja kundër tyre është dërguar për gjykim në Gjykatën e Korçës.

Elvis MYRTA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here