Ashtu siç ishte përfolur, grupet parlamentare CDU/CSU dhe SPD miratuan dje dokumentin që i jep dritën e gjelbër hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Pasditen e djeshme grupi më i madh politik CDU/CSU ka votuar për hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë me Bashkimin Europian me 75 vota pro dhe 28 kundër. CDU/CSU ka votuar kështu draftin e dokumentit që do të votojë të enjten Budenstagu Gjerman. Dokumenti ka 9 pika të kërkesave ndaj Shqipërisë, të cilat ndahen në dy blloqe. Tre kushtet e bllokut të parë duhen plotësuar para konferencës së parë të anëtarësimit, ndërsa gjashtë të tjerat para se të fillojë konferenca e dytë, respektivisht hapja e kapitujve të parë (23 dhe 24), pra pas vendimit të tetorit.
Ngritja e Kushtetuese
Në bllokun prioritar të kushteve janë miratimi i reformës zgjedhore, ngritja e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese. Sipas deputetëve, ligji i ri zgjedhor duhet të jetë në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR-it dhe të sigurojë një financim transparent të partive dhe fushatave zgjedhore dhe të bazohet në rezultatet e Komisionit ad-hoc për reformën zgjedhore. “Përpunimi i draftit të hartuar aty duhet të bëhet në një dialog të hapur duke përfshirë të gjitha forcat politike, siç rekomandohet në raportin e ODIHR-it të datës 5 shtator 2019”, thuhet ndër të tjera në dokumentin e publikuar nga prestigjiozja gjermane “Deutsche Welle”.
Pas tetorit duhet të nisin arrestimet “VIP”
Por grupet parlamentare CDU/CSU dhe SPD kanë kërkuar që pas tetorit duhet të nisin arrestimet “VIP”, sikundër janë pushtetarët e korruptuar dhe nisjae hetimit për të gjithë ata gjyqtarë dhe prokurorë të cilët kanë ngelur në procesin e vetingut, duke u lënë jashtë sistemit të drejtësisë. Më konkretisht, këto kushte hyjnë në bllokun e dytë, të cilat duhet të plotësohen para se të fillojë konferenca e dytë e anëtarësimit, gjerësisht, para se të hapen dy kapitujt e parë, të negociatave. “Zbatimi i ligjit për reformën zgjedhore; fillim i procedurave penale kundër gjykatësve dhe prokurorëve, të cilët në procesin e vetingut janë akuzuar për sjellje të dënueshme penalisht; fillimi i procedurave nga prokuroria dhe eventualisht gjyqësori kundër atyre që kanë pasur lidhje me blerjen e votave si dhe ecuri serioze dhe të shpejtë të proceseve; ngritja e strukturës speciale për luftimin e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe vënia në punë e saj; suksese në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, përfshirë edhe nisjen përfundimin e proceseve të para gjyqësore kundër zyrtarëve dhe politikanëve të rangut të lartë.” Këtu hyjnë hetime pro-aktive, eventualisht ndjekje dhe dënime penale në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar”, thuhet në dokument.
Ultimatum opozitës të ulet me PS
Interesant është fakti se për grupet parlamentare CDU/CSU dhe SPD situata politike në vendin tonë cilësohet në këtë rezolutë tejet e rëndë, ndaj edhe aktorëve politikë i bëhet thirrje të nisin sa më shpejt dialogun për ta kapërcyer atë. Thënë më troç, gjermanët i kanë vënë ultimatum opozitës të ulet me mazhorancën. “Shqipëria është në një krizë të rëndë politike. Bundestagu gjerman u bën thirrje me ngulm të gjitha forcave demokratike në Shqipëri që të ndërmarrin menjëherë të gjitha hapat për të kapërcyer këtë krizë sa më shpejt përmes dialogut politik, përndryshe rruga për negociatat e anëtarësimit do të vështirësohet në mënyrë të konsiderueshme”, thuhet në rezolutën e përbashkët të partive qeverisëse të Gjermanisë, CDU/CSU dhe të SPD.
Rigels Seliman