“Mountains and Water and Blossoms and Bird”, me instalacione dhe piktura për publikun

0
309

“Mountains and Water and Blossoms and Bird” titullohet ekspozita, që u hap për publikun në galerinë e artit “Zeta”. Ekspozita përmban veprat e artistit të njohur austriak Wilhelm Scheruebl, i cili për herë të parë prezantohet me punët e tij në Tiranë. Punët në ekspozitën “Mountains and Water and Blossoms and Bird” janë në mediume të ndryshme. Në ekspozitë për publikun prezantohen instilacione, si dhe një seri pikturash të punuara në teknikën e akuarelit. Artisti austriak Wilhelm Scheruebl shqyrton strukturat natyrore dhe proceset, që sipas tij mund të gjenden kudo. “Strukturat e vetë-organizuara të zhvillimit dhe transformimit, të dukshme në rrjetet ndërpersonale ashtu si edhe në strukturën qelizore të një sistemi bimësh. Këto procese janë balancuar mirë midis rendit dhe kaosit”, shprehte artisti për punët e tij. I gjendur këto ditë në Tiranë, ku për herë të parë prezanton ekspozitën e tij personale për publikun tonë në galerinë e artit “Zeta”, pika fillestare e reflektimeve të Scheruebl është drita, e cila në bashkëveprim me errësirën, nis dinamizmin e transformimit. Nga “natyra”, thotë filozofi dhe sociologu, Georg Simmel, në esenë e tij, Filozofia e Peizazhit, nënkuptojmë lidhjen e pafund të gjërave, prodhimin e pandërprerë dhe mohimin e formave, unitetin rrjedhës të dukurisë, që shprehet në vazhdimësinë e ekzistencës kohore dhe hapësinore. Sipas artistit, e rëndësishme është që, çdo lloj materiali është vazhdimisht në një proces transformimi. “Kjo është e dukshme kudo në ciklet e natyrës, nga ndryshimi i stinëve deri në fundin e caktuar të ekzistencës sonë trupore. Një bimë e demonstron këtë qëndrim të vazhdueshëm; ajo përfaqëson ciklin sezonal, nga fidani, tek lulja, tek prodhimi i farave, deri tek formimi i tokës së re nga materiali bimor i pajetë”, vijon artisti austriak Scheruebl.

 Aktiviteti në galeritë e huaja

Ekspozita, që u hap në galerinë e artit “Zeta” do të qëndrojë për publikun deri më datë 8 tetor. Këtë sezon kjo është ekspozita e dytë në galerinë e artit “Zeta”, që prezanton këtë herë një tjetër artist të njohur. Drejtuese e galerisë Valentina Koça shprehet se këto bashkëpunime me artistë të huaj, që vijnë prezantojnë veprat e tyre në Tiranë janë në vijim të aktivitetit në galeri. “U bënë pesë vjet, që ne presim në rezidencë një mujore një artist nga Salzburgu dhe këtë herë ishte Wilhelm Scheruebl. Në ekspozitë veprat e tij janë në mediume të ndryshme dhe teknika të ndryshme”, shprehet Koça këtë herë për ekspozitën, që do të qëndrojë deri më datë 8 tetor për publikun. Ekspozita është mbështetur nga Ambasada Austriake dhe Landi i Salzburgut. Wilhelm Scheruebl ka lindur në Radstadt, Austri në vitin1961. Studioi në Akademie der bildenden Kunste Wien në 1985, ku edhe u diplomua në vitin 1990. Puna e tij është ekspozuar në vitin 1991 në Galeri M+, Bratislava;1992- Galeri A4, Wels; 1993 -galeri 5020, Salzburg; 1994- Institut Francais de Vienne; 1997- MAK, Museum fur angewandte Kunst, Vjenë; 1998- ACP Galerie, Peter Schuengel, Salzburg; 2000- Duff House, Banff, Schottland; 2001- Kunstverein Rosenheim, Rosenheim; Rupertinum Salzburg, Salzburg; 2004- Oberosterreichische Landesgalerie, Linz; Galeri Traklhaus, Salzburg, si dhe në galeri të tjera arti në botë. Ndërkaq me punët e tij si artist ai vitet e fundit është prezantuar në Kunstraum St. Virgil, Salzburg; në 2016 ka ekspozuar në MQ Artbox, Vjenë dhe këtë vit është prezantuar edhe në Kunsthaus Nexus, Saalfelden.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here