Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Kavajës mëngjesin e djeshëm, pasi një i ri ka hapur zjarr me breshëri automatiku duke lënë të plagosur një 53-vjeçar. Ngjarja ndodhi rreth orës 11 e 10 minuta, pranë bashkisë së vjetër në Kavajë, kur 53-vjeçari Rexhep Tare ishte në lokalin e tij, por u gjend nën breshërinë e plumbave dhe mbeti i plagosur. Pas kësaj në pranga është vënë 31-vjeçari Fitim Baboçi. Ngjarja mund të kishte përmasa më tragjike, por ndërhyrja e dy qytetarëve ka neutralizuar Baboçin, duke i marrë nga duart edhe armën e zjarrit. Më pas uniformat blu kanë shkuar në vendngjarje, duke arrestuar në flagrancë të riun. Sipas policisë, Baboçi dhe Tare janë konfliktuar verbalisht një ditë më parë me njëri-tjetrin, por paraditen e së martës sherri degjeneroi në përdorimin e armëve. Si pasojë e të shtënave janë dëmtuar edhe xhamat e disa bizneseve përreth, por në të njëjtën kohë është rrezikuar jeta e kalimtarëve të rastit. Autori njihet nga policia si person konfliktual dhe me probleme të shëndetit mendor. Burime pranë policisë bëjnë me dije se më herët, autori dhe i plagosuri kanë qenë fqinjë, por pas një konflikti të ndodhur rreth 10 vite më parë, familja e Fitim Baboçit ishte shkëputur prej andej, duke jetuar në një tjetër lagje të qytetit. Konflikti i vjetër mes dy personave, të cilit kishin njohje me njëri-tjetrin shkoi deri në përfundimin me përdorimine kallashnikovit, ku mbeti i plagosur 53-vjeçari. Zyrtarisht policia deklaroi se konflikti mes tyre ka qenë për motive banale, ndërsa dëshmia e tyre pritet të zbardhë edhe më shumë detaje rreth motivit. Policia po heton në lidhje me zbardhjen e plotë të ngjarjes, si dhe pritet të marrë dëshmitë e familjarëve, të personave të përfshirë në këtë konflikt me armë.
Ndalimi i autorit
Ishin dy ish oficerë ata të cilët kanë bërë të mundur ndalim e autorit me kallashnikov në dorë, pasi plagosi një person në dyqanin e tij, pranë bashkisë së vjetër të qytetit. Pak metra larg kësaj skene ndodheshin edhe forcat e policisë, që me ndihmën e banorëve, bënë të mundur arrestimin e autorit, Fitim Baboçi 31 vjeç. Përvoja 27-vjeçare si polic i dha kurajo për të ndërhyrë këtë mëngjes e për të shmangur një tragjedi. Ish-punonjësi i policisë, Ymer Xhafa ishte ai që ndërhyri i pari dhe i hoqi kallashnikovin nga dora, 31-vjeçarit Fitim Baboçi, pasi ky i fundit plagosi bashkëqytetarin e tij në Kavajë, Rexhep Taren. Pasi qëlloi me breshëri kallashnikovi duke lënë të plagosur 53-vjeçarin, Fitim Baboçi vijonte të mbante armën në dorë në një orar kur zona ishte mjaft e populluar. Xhafa tregon se nuk hezitoi dhe ndërhyri sapo iu dha mundësia duke i hequr nga dora armën 31-vjeçarit për të evituar të shtënat e tjera. Njeriu që guxoi të ndërhynte në një situatë rreziku thotë se nuk u frikësua dhe pasi ai i hoqi nga dora armën që mbante i riu, një tjetër person e tërhoqi 31-vjeçarin pak metra më larg, deri në momentin që policia mbërriti aty. “Dëgjova krisma armësh, pashë një person që nuk e njihja, me armë dhe një grumbull njerëzish. Nuk mund të rrija indiferent, ai më ktheu shpinën. I dola nga mbrapa, i neutralizova armën dhe e mbajta, bashkë me shokun tim, edhe ai ish-oficer. Mund të ndodhte katastrofë, autori nuk reagoi. Jemi njerëz mbi të gjitha, ne jemi për të mirën. Ishte rastësia. Nuk pata frikë. Nuk reagoi edhe u neutralizua. I dhamë ujë dhe pastaj erdhi policia”, tha ish-polici, i cili u kthye në një hero të vërtetë. Të shtënat me armë shkaktuan panik në zonën pranë bashkisë se vjetër, pasojat e të cilave mund të ishin fatale nëse ish-punonjësi i policisë do të kishte qëndruar indiferent.
Elvis MYRTA